Molliqaj: Kurti fajtor për bllokadën institucionale, por edhe opozita është dorëzuar politikisht
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar qeverinë në detyrë dhe opozitën, duke e cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si fajtorë kryesorë për bllokadën institucionale, ndërsa partitë opozitare i ka kritikuar për mungesë kauze, dorëzim politik dhe fushatë formale pa përmbajtje.
Molliqaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se fajtor kryesor për krizën institucionale është pushteti aktual dhe se opozita ka dështuar ta përmbushë vullnetin e qytetarëve.
“Fajtori kryesor i vetëm gati se është LVV dhe Albin Kurti. Ka një përgjegjësi opozita të cilën nuk e ka kry me detyrë dhe ajo është vullneti i qytetarëve. Më 9 shkurt janë rikthy me mandate dhe ka qenë 52 mandate për opozitën, ndërsa 48 për LVV-në dhe këta nuk e kanë kry obligimin që ua ka dhënë qytetari – me kriju institucionet. PSD-ja ka qenë subjekt i cili në vazhdimësi ka insistu që mos me u lidh për çështjen e Kuvendit, me votu Albulenën ose kushdo që propozohet nga LVV dhe me kriju qeverinë e cila do të ishte qeveri e opozitës. Edhe nëse vendi shkon në zgjedhje për zgjedhjen e presidentes, do të ishte më mirë që të shkonte prej qeverisë së opozitës. Qartazi kjo opozitë nuk e ka të qartë me çfarë pushteti ka përballë dhe, në vend të ngritjes së kauzave ose vendimeve në shërbim të qytetarëve, më shumë ka menduar strategjikisht e taktikisht për veti dhe në fund as kjo nuk do të ndodhë”, tha ai.
Molliqaj tha se vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhje ka qenë i qëllimshëm.
“Besoj që po përsëriten zgjedhjet e 9 shkurtit. Ne kemi qenë të qartë që nuk garojmë në ato zgjedhje për shkak se nuk ka rrethana të cilat do t’i jepnin hapësirën e duhur shpjegimit tonë. Ne besojmë që edhe në këto zgjedhje po ballafaqohen dy botëkuptime, të cilat besojmë që asnjëra as tjetra nuk është zgjidhje reale për Kosovën. Prandaj besojmë që ka qenë vendim i duhur mospjesëmarrja në zgjedhje. Ka pasë iniciativa të ndërmjetësimeve të ndryshme, por janë refuzu qysh në start, për shkak se ne nuk jemi të interesuar me pas një deputet apo dy, por jemi të interesuar për të ndërtuar një subjekt politik që besojmë se do të jetë i vetmi që ka me pas mundësi me sfidu pushtetin jo demokratik në Kosovë, që është nga Vetëvendosja”, theksoi ai.
Molliqaj tha se zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të autoritarizmit në rritje dhe se opozita po hyn në garë pa asnjë kauzë politike.
“Në njërën anë kemi forcim të pikëpamjes autoritare, jo të fushatës por të qeverisjes, në kuptimin që fushata e forcon atë. Pra, është tu u koncentru lideri i LVV-së dhe po shpërfaq gjithnjë e më shumë, prej diskursit te veprimet, që është subjekt jo demokratik. Por ajo që më shqetëson është se në këto zgjedhje partitë opozitare hynë pa kauzë, pra nuk kanë asnjë kauzë për çka garojnë në këto zgjedhje. Mos ta harrojmë që në këto zgjedhje po shkojmë për shkak të bllokimit 9-mujor, gati 10-mujor, të LVV-së. Pas këtij bllokimi, secila parti veç e veç, në vend që t’i trashte vijat e kuqe me LVV-në, kanë vendosur t’i heqin të gjitha vijat e kuqe të bashkëpunimit. Pse me shku në zgjedhje? Nëse këta kanë qenë të interesuar me bashkëpunu me LVV-në, është dashur me bë qeverinë pa shku në zgjedhje. Prandaj vlerësoj që ka shumë gjasa që kampi opozitar mos me marrë rezultatin e duhur, për shkak se është në këtë fushatë pa asnjë kauzë”, nënvizoi ai.
Molliqaj tha se opozita e ka “dorëzuar lojën politike” dhe se fushata aktuale është shndërruar në një formalitet procedural.
“Besoj që këtë do ta vendosin qytetarët, por ajo që mua më shqetëson është se opozita e ka dorëzu lojën, jo në kuptimin e garës elektorale, por në kuptimin politik të fjalës. Sot nganjëherë duket sikur mos me pas fushatë fare, aq është një lloj formaliteti procedural që po dojnë me përdor sa që nuk ka fushatë. Fushata nuk është as numri i tubimeve, as numri i njerëzve që përfshihen, por kur ka diskutim publik që zgjon kureshtje dhe debat publik, ajo e bën fushatën e fortë. Opozita më duket se është jashtë çfarëdo fokusi të qytetarëve sa i përket çështjeve. Çështja kryesore për mua në këto zgjedhje është bllokada. Do të duhej të kishin përgjigje ndaj këtij problemi dhe zgjidhjen e kanë krejt të gabuar, sepse po dojnë me i heq vijat e kuqe dhe me pas bashkëpunim me LVV-në”, tha ai.
Molliqaj tha se nuk e sheh veten as në qeveri e as si mbështetës të opozitës aktuale, duke e cilësuar skenën politike si pa përmbajtje reale.
“Unë mundem me të tregu se çfarë kam qejf, se ku do të renditet do ta tregojë rezultati zgjedhor. Për mua është jetike mos me qenë parti qeverisëse, por a më bën kjo me mbështetë opozitën? Absolutisht jo. Nëse për mua partia VV është diçka e rrezikshme dhe e dëmshme, me partitë opozitare po ashtu nuk më lidh asgjë, asnjë fushë në mënyrën se si shihet qeverisja e as aksioni politik. Janë thjesht sa për me kry procedurën demokratike në këtë vend dhe me pas pushtet dhe opozitë. Ajo që po shihet është se partitë nuk kanë kufizime sa kanë pasur partitë në opozitë, prandaj nuk shoh që do të ketë bllokada, megjithatë varet shumë nga rezultati. Rezultati do ta përcaktojë këtë çështje, por unë jam i shqetësuar se në këto zgjedhje nuk ka politikë. Zgjedhjet janë moment kur qytetarët votojnë për politikë, jo thjesht për partitë politike, por për çështjet politike, dhe nuk kemi çështje politike të ngritura nga opozita”, theksoi ai.
Kryetari i PSD-së tha se Vetëvendosje po ndërton një kult të liderit rreth kryeministrit dhe se mediat e opozita po kontribuojnë në amnisti politike.
“Është qartazi strategji, por unë besoj se këtë duhet me e analizu. Ka tendenca shpesh me thënë se është një fytyrë dhe Adriana Matoshi apo Dimal Basha, të dyja janë e njëjta çështje ato janë fytyrat e Albinit, Albini është sipër tyre. E keni parë që e kanë nxjerrë një poster ku vetëm Albini është në fotografi, krejt kandidatët e tjerë janë vetëm numra, sepse numri i kandidatit është shumëfish më i madh se emri. Figurë është Albini, emër është Albini, pastaj janë numra, ndërsa të tjerët së pari është numri, figurë nuk je fare dhe emri krejt në fund mezi shihet te kandidatët e LVV-së. Të gjitha këto janë në kuadër të forcimit të personalitetit të figurës së kryeministrit. Nuk guxojmë as me i lexu si taktikë nëse LVV ndërrohet apo jo, gjithçka shkon drejt forcimit të pushtetit absolut për kryetarin e tyre. Prandaj është e parëndësishme çka bëjnë ata, e rëndësishme është çka bëjmë ne. Besojmë që mediat është dashur me pas një kushtëzim më të mirë sesa thjesht ‘mirë se erdhët’, sepse janë sulmuar në mënyrë jo të drejtë dhe të gjeneralizuar. E dyta, partitë opozitare, në vend se të kishin një reagim më të qartë ‘dikush që e ka bllokuar Kosovën nuk qeverisim me të’ po e amnistojnë. Prandaj është e lehtë me bë me gisht, por pushtetet autoritare duhet me u luftu me veprime e aksione politike. Nëse mediat vetëm thonë ‘po tash ju erdhët’, kjo e amniston. Nuk është dashur me u leju në asnjë moment amnistia për atë çka ka bërë Qeveria Kurti apo VV ndaj mediave dhe opozitës. Nëse mediat dhe opozita ia falin, pse mos me ia falë qytetari? Prandaj mendoj se ka qenë gabim dhe shpresoj të mos dalë gabim edhe në rezultat”, potencoi Molliqaj.
Sa i përket zhvillimeve në veri, Molliqaj tha se qasja e qeverisë ka dështuar në integrimin politik të serbëve.
“Ka dy lloje ndryshimesh, ne kemi folur për njërin që është më i rëndësishmi. Kur kanë filluar aksionet politike dhe policore në veri, ne kemi thënë që problemi i veriut nuk është ligjor, por politik. Ka edhe shkelje ligji, korrupsion e krim, por çështja është që serbët nuk janë të integruar dhe nuk e njohin shtetin e Kosovës. LVV ka thënë se përmes vendosjes së rendit dhe ligjit do ta demokratizojë shoqërinë atje, do ta pluralizojë atë dhe do të ketë subjekte të reja, por krejt komunat përsëri i ka marrë Lista Serbe. Sa i përket synimit kryesor, që është integrimi i serbëve në Kosovë, rezultati është negativ. Në rastin e rendit dhe ligjit është pozitiv, por kjo nuk do të thotë që është i qëndrueshëm, sepse ata qytetarë duhet me dashtë me jetu në Kosovë. Nëse ne mendojmë që përmes policisë kemi me i detyru me jetu në Kosovë, është gabim. Sot që po flasim, të gjitha komunat e veriut kanë dalë nga asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë larguar simbolet dhe presidentja nga kuvendet komunale. Gradualisht do të kthehet pushteti real atje dhe unë nuk e kam problemin që serbët e marrin pushtetin real. Çështja është: a janë serbët me këto veprime më afër dhe më të bindur që Kosova është shtet i tyre? Për bindjen time, jo. As për realitetin me votë, jo. Lista Serbe është forcuar në veriun e Kosovës. Prandaj, në leximin që ka qeveria, që policia e kontrollon situatën ka ndryshim, por në leximin politik, që është më i rëndësishëm, rezultati është negativ. Kryetarët e rinj të komunave janë më larg institucioneve të Kosovës se kurrë dhe integrimi nuk ndodh kurrë me polici, as nuk ka me ndodhë kurrë askund”, tha ai.
Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Kurti ishte pjesëmarrës në përurimin e urës mbi lumin Ibër, e cila ishte hapur për këmbësorë. Lidhur me këtë, kreu i PSD-së tha se bëhej fjalë për çështje elektorale.
“Qartazi ishte lënë dita e fushatës. Ajo ishte nisur më herët dhe problemi është se ne mund të kemi ura edhe dhjetë të tjera, sepse janë edhe tri-katër të tjera. Një është e mbyllur dhe simbolika pse është mbyllur ajo urë është e rëndësishme. Problemi nuk është sa ura ndërtohen, por a po krijohen ura mes institucioneve të Kosovës, mes qytetarëve të Kosovës dhe serbëve, mes komunave dhe qeverisë. Ato janë ura që na duhen, sepse kur të krijohen këto ura dhe serbët e Kosovës e pranojnë shtetin e Kosovës, është çështje kohe kur hapen urat fizike. Kur mendon që ke me integru një qytet me polici, atëherë rezultatin e merr në zgjedhje, i madh e i vogël të voton kundër. Integrimi i serbëve është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, pas mbi 10 muajsh mosformim të institucioneve nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Në këto zgjedhje, PSD-ja nuk ka hyrë në garë zgjedhore.