IKD-ja publikon listën e kandidatëve për deputetë që janë përfshirë në raste penale

IKD-ja publikon listën e kandidatëve për deputetë që janë përfshirë në raste penale

Aktuale December 20, 2025 - 11:27

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me analizimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, të cilët janë përfshirë në raste penale.

Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive.

Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion.

IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.

Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%).

IKD tha se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptimin që personat të cilët përfshihen në raste penale, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, të mos jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.

IKD sqaron se përfshirja në raste penale konsiston qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë.

“Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për moskandidim të personave të cilët përfshihen në raste penale nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në kuptim të vlerësimit të integritetit”.

Në bazë të ligjit për zgjedhjet e drejta për të kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare iu kufizohet vetëm personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim e më shumë në tre vitet e fundit.

“Përkundër, kësaj IKD me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor”.

“Me 28 dhjetor 2025, në Kosovë do të mbahen Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare, që shënojnë procesin e tretë zgjedhor brenda këtij viti. Për këto zgjedhje, janë certifikuar 24 subjekte politike. Pjesë e tyre janë 1,179 kandidatë për deputetë. Duke mos cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë, sikurse edhe në ciklet e tjera zgjedhore, edhe në këtë rast, IKD bazuar në të dhënat e saj nga monitorimi i proceseve gjyqësore, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për deputetë që janë përfshirë në raste penale. Kandidatë të tillë cilësohen të gjithë kandidatët e identifikuar të cilët kanë aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë”.

Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Nëse i referohemi gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit të IKD në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit, tha IKD.

“Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale”.