Qeveria konfirmon zbatimin e vendimeve të CEFTA-s për tregti të lirë dhe konkurrencë të ndershme
Foto: Laura Hasani

Qeveria konfirmon zbatimin e vendimeve të CEFTA-s për tregti të lirë dhe konkurrencë të ndershme

Aktuale December 19, 2025 - 11:04

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve të saj, me qëllim garantimin e tregtisë së lirë, konkurrencës së ndershme dhe përfitimit për konsumatorët.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se zbatimi i obligimeve brenda CEFTA-s po krijon kushte më të favorshme për ekonominë dhe qytetarët.

“Obligimet e ndërmarra brenda CEFTA-s tani sigurojnë tregti më të lirë dhe shërbime më të shpejta, besueshmëri digjitale, qasje të barabartë dhe konkurrencë të drejtë dhe përfitim për konsumator”, tha ai.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se gjatë këtij mandati Kosova ka arritur përfaqësim të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në CEFTA, duke larguar UNMIK-un nga ky rol.

“MINT-i, krahas përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, gjatë këtij mandati ka adresuar dhe ka siguruar përfaqësimin e Kosovës në marrëveshjen e CEFTA-s nga institucionet e saj, duke larguar UNMIK-u, që përfaqësonte Kosovën në CEFTA, si dhe duke miratuar një seri vendimesh që kanë dalë nga CEFTA, ku 11 nga këto vendime janë miratuar kur Kosova u përfaqësua nga MINT-i dhe jo UNMIK-u. Pas 13 zbatim të marrëveshjes për herë të parë morëm iniciativën zyrtare për të rregulluar përfaqësimin e Kosovës në CEFTA. Adresuam letrën në sekretarinë CEFTA në Bruksel, ku përmes kësaj letre kërkuam largimin e UNMIK-ut nga ky mekanizëm që Kosova të përfaqësohet e barabartë si vendet e tjera”, tha ajo. /eo