Pensionistët mirëpresin shfuqizimin e kriterit për lajmërim çdo 6 muaj
Foto: Laura Hasani

Pensionistët mirëpresin shfuqizimin e kriterit për lajmërim çdo 6 muaj

Aktuale December 18, 2025 - 19:37

Zyra e departamentit për pensione në Prishtinë edhe këtë të enjte ishte destinacion për pensionistët, që lajmërohen për të dëshmuar se janë gjallë.

Ata vazhdojnë praktikën shumëvjeçare pavarësisht vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme, me të cilin ka shfuqizuar nenet dhe paragrafët e ligjit që obligonte ata të paraqiteshin çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.

Disa prej pensionistëve thanë se nuk u informuan nga zyrtarët për diçka të tillë.

“Ata e kemi dëgju në lajme pram se s’ka nevojë ma. Me 2 dhjetor  kam pas me u lajmëru, kam harru ma kanë nal penzinë erdha sot me u lajmëru. Ai tha po.. Jo nuk thanë asgjë..”, ka thënë Ahmet Maloku, pensionist.

“Tash tha vjen në mujin e 4 ose 5…Valla do burra qaty e banën llaf që i kanë dëgju lajmet, a tash s’na pytën asnjë fjalë. Qashtu thanë ata burrat qe pyetnin. Po qysh nuk është lehtësim me shtagë për kjamet erdha”, ka thënë Hamide Bajgora, pensioniste.

Të mërkurën, Supremja njoftoi për vendimin përmes të cilit konstatoi se nenet e ligjit janë të kundërligjshme. Ai obligon Ministrinë e Financave që të monitorojë burimet e informatave për të identifikuar pensionistët që kanë vdekur.

“Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk janë në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm. Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.”

Dukagjini ka pyetur Ministrinë e Financave, nëse do ta zbatojë vendimin e Supremes, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.

Megjithatë ky vendim i Gjykatës u mirëprit nga pensionistët, të cilët thanë se presin që ai të gjejë zbatim në praktikë.

“Shumë një lajm i mirë edhe besoj se nuk do ndodhin më ksi skandale, për mua ishte skandal, le ta vlerësojnë vet edhe komisionet që kanë ndërtuar ato nene ato ligje, tash pensionisti në moshë diku 87-90 vjec i numëron ditët e frika, vjen te dera met verifiku a je gjallë a jo ose kërkon t’i shkosh të sporteli me dëshmu që je gjallë, është e tepërt”, ka thënë një pensionit tjetër, Hajdar Fejzullahu.

Aktualisht pensioni i moshës në Kosovë është 150 euro, e ai i kontributpaguesit nga 218 deri në 318 euro në muaj./dukagjini