Kurti injoron pyetjen e gazetarëve rreth vendimit të komunave veriore për t’u tërhequr nga AKK-ja

Kurti injoron pyetjen e gazetarëve rreth vendimit të komunave veriore për t’u tërhequr nga AKK-ja

Aktuale December 18, 2025 - 14:47

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur të komentojë vendimin e komunave veriore për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), raporton Ekonomia Online.

Derisa u pyet për këtë, Kurti, i shoqëruar edhe nga Naim Tërnava, ka vazhduar disponimin e tij duke u përshëndetur me mysafirët, të cilët ishin në një ngjarje që ishte organizuar në Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Ju përshëndes, kaloni mirë”, ishte përshëndetje e Kurtit me të pranishmit aty, duke injoruar kështu pyetjen e gazetarëve.

Gjatë ditës Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.