Rama pasi vizitoi Thaçin në Hagë: Sapo dola nga godina, ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Rama pasi vizitoi Thaçin në Hagë: Sapo dola nga godina, ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Aktuale December 18, 2025 - 12:51

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar sot ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale.

Rama edhe këtë herë ka kritikuar Gjykatën Speciale, që po mban padrejtësisht ish-presidentin dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, duke e quajtur këtë si një “teatër i turqit të drejtësisë ndërkombëtare”, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Ramës pas vizitës së Thaçit:

Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë

E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar - një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”.

Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike, me bekimin e shteteve të Evropës e SHBA-së dhe me fondet e taksapaguesve evropianë e amerikanë, ndaj një populli evropian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Evropën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë.

Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Evropës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor.