Mustafa për skandalin me emërimin e Faruk Mujkës në Ibër-Lepenc: Me këtë parti në pushtet, skandalet s’kanë të ndalur
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, e ka quajtur Qeverinë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes “Qeveri të WhatsApp-it”, duke përmendur skandalin që u publikua në lidhje me emërimin e Faruk Mujkës në krye të ndërmarrjes publike Ibër Lepenc, e ku i njëjti deri te punësimi erdhi duke komunikuar me Dejona Mihalin dhe ministren tani në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Mustafa, në një konferencë për media bashkë me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi, tha se kjo metodë e tyre ka dëshpëruar edhe të rinjtë të cilët mësojnë fortë por në fund dëshpërohen veçse nuk e kanë mundësinë e një komunikimi me Mihalin.
“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, err e terr. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës së Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i LVV-së se si e mbyt shpresën e një të riu që mëson fort, e pastaj dëshpërohet rëndë dhe në fund mbetet i papunë e i pashpresë, vetëm sepse nuk e ka WhatsApp-in e Dejones. LVV-ja erdhi në pushtet me premtimin se do të punojë me duar të pastra, por shumë shpejt u kuptua dhe u shpalos se janë të zhytur kokë e këmbë deri në fyt në pazare për punësime. Kjo nuk është qeveri, por është thjesht një qeveri e WhatsApp-it”, tha Mustafa.