Faruk Mujka reagon ndaj paralajmërimeve të Lirim Mehmetaj

Faruk Mujka reagon ndaj paralajmërimeve të Lirim Mehmetaj

Aktuale December 17, 2025 - 17:36

Kryeshefi i Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka ka reaguar pas paralajmërimeve të gazetarit Lirim Mehmetaj për publikimin e bisedave të nxjerra nga telefoni i tij, i cili ishte konfiskuar nga policia në vitin 2023.

“Telefoni për të cilin postoi status para disa ditësh Lirim Mehmetaj është i imi. Atë nuk e ka gjetur Lirim Mehmetaj por e ka Policia e Kosovës me konkretisht, forenzika dhe hetuesi Idriz Gashi. Ky i fundit i suspenduar ngase merrte pjesë në tubimet e PDK-së dhe Sami Lushtakut. Kështu që këto ditë do të dalin materialet private të jetës sime. Komunikime me aktivistë, hallet e mia me gruan, fëmijët. Komunikimet me kolegët do t'i shihni në median e Lirimit e prej atje edhe në debatet e mbrëmjes”, ka thënë Mujka në një postim në Facebook.

Ai ka thënë se do të sajohen shkrime të ndryshme për të aluduar në detyrën e tij.

“Do të sajojnë skenarë se për mua ka pasur ndërhyrje. Edhe pse jam inxhinier me përvojë, edhe pse kam fituar ndershëm konkursin, edhe pse askush nuk ka bërë asnjë lëvizje për hatër timin”, ka thënë Mujka.

Ai ka shtuar se telefoni i tij mbahet prej mbi dy vjetësh në polici, sipas tij, vetëm për ta përdorur kundër Vetëvendosjes ditën e zgjedhjeve.

“Nuk kanë çka thonë tjetër përveçse unë si anëtar i një partie jam menduar mirë dhe kam marrë konfirmimin nga kolegët nëse bën apo jo të kandidojë për pozitën e kryeshefit në ndërmarrje publike”, ka shtuar Mujka.

Më herët gazetari Lirim Mehmetaj ka paralajmëruar publikimin e disa materialeve, të cilat, sipas tij, burojnë nga telefonat e konfiskuar të Mujkës dhe, që sipas tij, dëshmojnë koordinim të kundërligjshëm dhe ndikim politik në emërimin e tij në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

“Sot do të shihni se si Faruk Mujka në koordinim me Dejona Mihailin dhe ministren Artane Rizvanollin në mënyrë krejt të kundërligjshme e me ndikim politik e mori pozitën e Kryeshefit Ezkekutiv në Ibër – Lepenc. Në të njëjtën kohë, mund të shihni skemën kriminale përmes të cilës Vetëvendosja i kapë politikisht pozitat që do të duhej të fitoheshin me konkurse fer e transparente. ‘Mos më sakrifikoni për 1% të Vjosës’, thotë Faruk Mujka në një vend. Dhe jo, nuk e sakrifikojnë”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook, duke paralajmëruar publikimin e komunikimeve të Mujkës.