Vendimi i Supremes në favor të ushtarëve të FSK-së, ndryshohet rregullorja e udhëtimeve zyrtare
Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar kërkesën e KDI-së për anulimin e një pjese të Rregullores për kompensimin e udhëtimeve zyrtare.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook të KDI-së.
Ndër të tjera në njoftim thuhet se një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë drejtuar KDI-së për të kërkuar ndihmë ligjore pasi nuk po kompensoheshin për udhëtimet jashtë vendit kur shërbenin më shumë se një muaj.
“Pas shqyrtimit të rastit, #KDI ka gjetur se rregullorja në fuqi i vendoste ata në një pozitë të padrejtë. Gjykata Supreme tani e ka vërtetuar këtë, duke konfirmuar se rregullorja kishte tejkaluar ligjin dhe duhej ndryshuar. Ky vendim është një hap i rëndësishëm për drejtësi dhe trajtim të drejtë të ushtarëve tanë, dhe një dëshmi e ndikimit që mund të ketë raportimi i qytetarëve dhe puna jonë për llogaridhënie”, thuhet në njoftim.