Tahiri: Boshti i suksesit të këtyre zgjedhjeve është AAK-ja, do të bëhet qeveria me opozitën
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Boshti i suksesit të këtyre zgjedhjeve është AAK-ja, do të bëhet qeveria me opozitën

Aktuale December 17, 2025 - 08:33

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se Qeveria në krye me Albin Kurtin gjatë qeverisjes së saj ka bërë një sërë shkeljesh kushtetuese, por kanë kritikuar edhe ndarjen e parave në kohë fushatash të që janë bërë për disa kategori.

Megjithëkëtë nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kjo praktikë qeverisëse do të ndryshojë pas 28 dhjetorit, pra një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, me ç’rast ka theksuar se AAK-ja do të jetë boshti i suksesit.

Tahiri ka akuzuar qeverinë “Kurti” për blerje votash.

“Prejse ka ardhur kjo qeveri në pushtet veprimet e ndihmave financiare u bënë në periudha kur ka zgjedhje ose në periudhat e fundvitit. Në fundvit me ble vota. Ky është gabim shumë i madh, është praktikë shumë e keqe që bëhet, ndërtohet që ne duhet ta luftojmë secila qeveri nesër që do të vijmë në qeveri do të ketë zëra që do të thojnë ‘pasi e bëri Albini, pse mos ta bëjmë ne’. E shoh një vepër jo vetëm demokratike por e shoh edhe si vepër e cila ka karakter të një mungesës serioze të etikës qeverisëse. Kosova ka pasur një situatë bukur të vështirë këto katër vite e gjysmë. Kosova është ballafaquar me një qeveri e cila ka rekorde të thyera të shkeljeve kushtetuese, një qeveri e cila sektorin privat, i cili është sektori që i siguron pagat e sektorit publik”, tha Tahiri.

Tahiri ka ngritur si shqetësim edhe çështjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, që është krijuar gjatë viteve që me vendin udhëheq LVV-ja.

“Kjo qeveri e cila përgjatë gjithë kohës ka arritur të krijojë armiqësi shumë të mëdha në tri pika thelbësore të Kosovës. E para është me Amerikën, e dyta është me Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha me Shqipërinë, shtetin amë”, ka deklaruar Tahiri.

Për gjithë këtë Tahiri thotë se qytetari mund ta bëjë dallimin, e që në ditën kur do t’i drejtohet kutisë së votimit të mendoj se si e mendon të ardhmen.

“Jemi në proces zgjedhor, jemi edhe 10 ditë deri te zgjedhjet. Ftesa ime e vetme për secilin qytetarë të Kosovës, ta vendos gishtin në kokë dhe të mendoj, ku kemi qenë, ku jemi, ku dëshirojmë të shkojmë në vitin 2026. Aleanca e ka fuqinë më të madhe në nivel të pushtetit lokal, në aspektin e kontrollit, respektivisht të udhëheqjes së komunave shumica dërrmuese të komunave që jemi në qeverisje. Është subjekti politik me stabilitetin më të madh dhe me listën më përfaqësuese që e ka, ka evidencë serioze të arritjeve në pushtet lokal. Ka evidencë historike në menaxhimin e shtetit ku ka qenë kryeministër Haradinaj, dhe ku ne kemi udhëhequr të cilat dihen, duke filluar nga ushtria, pavarësimi energjetik i Trepçës, ligji i pagave e shumë të tjera Aleanca del subjekti politikë me rritjen më të madhe”, theksoi ai në Ekonominë Online.

Sipas Tahirit, zgjedhjet do të prodhojnë një qeveri të opozitës.

“Boshti i suksesit të këtyre zgjedhjeve, e ka emrin AAK. Kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor dhe ne mendojmë që qeveria do të krijohet nga opozita”, tha Tahiri, që njëherësh është dhe kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.