“Çfarë tjetër duhet të bëjnë Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi që të shkarkohen nga KQZ-ja”, thotë Albert Krasniqi
Foto: Laura Hasani

“Çfarë tjetër duhet të bëjnë Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi që të shkarkohen nga KQZ-ja”, thotë Albert Krasniqi

Aktuale December 16, 2025 - 14:21

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të përsëritura të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi.

Krasniqi tha se nuk e di se çfarë tjetër duhet të bëjnë këta dy anëtarë që të shkarkohen

“Nuk di çfarë tjetër duhet të bëjnë Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi që të shkarkohen nga KQZ. Në mënyrë të përsëritur, ata kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme që cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se veprimet e tyre filluan pas shkarkimit të Valdete Dakës nga Presidentja Osmani, vendim që, sipas Krasniqit është në shkelje të Kushtetutës.

“Që nga shkarkimi i Valdete Dakës nga Presidentja Osmani - një vendim në shkelje të Kushtetutës dhe mbi akuza të fabrikuara nga VV - kjo dyshe vepron me bindjen se është e paprekshme, duke e përshkallëzuar sjelljen destruktive brenda KQZ-së”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi ushtrojnë presion kryesisht ndaj grave në KQZ, gazetarëve dhe shoqërisë civile.

“Nuk është rastësi që objektivi i tyre janë gratë në KQZ, përfshirë ish-Kryesuesen dhe dy anëtaret e komuniteteve jo-shumicë, si dhe më pas gazetarët dhe shoqëria civile, ndaj të cilëve krijojnë ‘vija imagjinare’ se ku duhet të qëndrojnë dhe ushtrojnë presion. Me burrat e partive politike nuk ua mban”, tha Krasniqi.

Sipas tij kjo tregon një ushtrim të qëllimshëm të pushtetit dhe frikësim ndaj kategorive të pambrojtura, ndërsa heshtja e opozitës po ua lehtëson veprimet.

“Ky selektivitet tregon qartë se kemi të bëjmë me ushtrim pushteti dhe frikësim të qëllimshëm ndaj kategorive të pambrojtura. Ndërkohë që heshtja dhe abstenimi i opozitës vetëm sa u japin atyre hapësirë e justifikim për të vazhduar”, ka shkruar Krasniqi.