Haxhi Shalës s’i modifikohet dënimi, edhe pasi kaloi dy të tretat në burg

Haxhi Shalës s’i modifikohet dënimi, edhe pasi kaloi dy të tretat në burg

Aktuale December 15, 2025 - 13:35

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të refuzojë modifikimin e dënimit ndaj Haxhi Shalës, i cili është dënuar me 3 vjet burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ndonëse ka kaluar 2/3 e dënimit në burg.

Kryetarja e DHSK-së në vendimin e saj ka thënë se sipas raporteve nga administratorja dhe Qendra e Paraburgimit, Shala nuk ka shprehur pendesë apo keqardhje lidhur me ato se çfarë ka bërë dhe për të cilat është dënuar, si dhe nuk ka dhënë ndonjë tregues se nuk do të angazhohej në sjellje të ngjashme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raporteve, Shala kishte biseduar vetëm për çështje të përgjithshme me stafin e Qendrës së Paraburgimit dhe nuk është përfshirë në biseda rreth çështjes së tij apo veprave penale për të cilat është dënuar.

Mirëpo, thuhet se ai kishte pretenduar se ka shprehur keqardhje dhe pendesë përmes avokatit të tij, në seancën kur është shpallë dënimi.

Ndërsa, Trendafilova ka thënë se një marrëveshje për pranimin e fajësisë nuk duhet të bazohet me një shprehje pendese apo keqardhje për veprat penale, por është element kyç për të cilin Shala ka përfituar uljen e detyrueshme të dënimit.

“Kryetarja gjithashtu vëren se, në kundërshtim me pretendimet e z. Shalës, procesverbali tregon se ai nuk ka shprehur pendesë gjatë seancës së marrëveshjes së pranimit të fajit. Avokati i Specializuar foli në emër të tij lidhur me rrethanat lehtësuese, pa prekur, megjithatë, këtë aspekt. Përkundrazi, procesverbali tregon se kur u pyet nga Kryetarja e Trupit Gjykues nëse dëshironte të shprehte ndonjë pendesë, Avokati i Specializuar për z. Shalën, pas konsultimit me klientin e tij, e informoi Panelin Gjyqësor I se z. Shala “nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej [asaj] pyetjeje”, thuhet në vendim.

Ndërsa sa i përket raportit të Qendrës së Paraburgimit, thuhet se Shala ka treguar sjellje miqësore, të përgjegjshme dhe respektuese ndaj stafit. Gjithashtu, u tha se ai ka respektuar rregullat në këtë qendër përveç një incidenti që është i redaktuar në vendim.

Sipas vendimit, nuk është marrë asnjë masë disiplinore ndaj Shalës dhe se nuk kanë ndodhur incidente të tjera të kësaj natyre.

“Kryetarja gjithashtu konsideron se z. Shala ka mbajtur marrëdhënie pozitive dhe miqësore me të paraburgosurit e tjerë, dhe se, gjatë paraburgimit të tij, ai nuk ka qenë subjekt i ndonjë mase disiplinore, as nuk është paralajmëruar zyrtarisht”, thuhet në vendim.

Veç kësaj, thuhet se vizitat që ka pasur Shala nga familja dhe miqtë e tij tregojnë se ai ka lidhje familjare të konsoliduar dhe një rreth të gjerë shoqërorë që mund të mbështesë risocializimin e tij pas lirimit. Tutje, thuhet se familja, veçanërisht bashkëshortja dhe djemtë e Shalës duket se janë të rëndësishëm tek ai dhe rrjedhimisht mund të ushtrojnë ndikim pozitiv mbi të.

Por, duke marrë parasysh rrethanat që u përmenden, Trendafilova ka thënë se nuk konsideron se zbutja e dënimit të Shalës do të ishte e përshtatshme.

“Duke marrë parasysh natyrën e veprave penale për të cilat z. Shala është dënuar dhe efektin frikësues që veprimet e tij patën mbi një dëshmitar të veçantë, por edhe mbi dëshmitarë të mundshëm të ardhshëm para Dhomave të Specializuara, si dhe mungesën e çdo shkëputjeje domethënëse të z. Shalës nga veprat penale, dhe pasi ka shqyrtuar në mënyrë të rregullt interesat e drejtësisë dhe parimet e përgjithshme të së drejtës në dritën e fakteve të çështjes së tij, Presidentja nuk konsideron se zbutja e dënimit të tij do të ishte e përshtatshme”, thuhet në vendim.

Trendafilova ka thënë se veprat penale për të cilat Shala është dënuar, janë të rënda duke e pasur parasysh edhe ndikimin e pengimit dhe frikësimin e dëshmitarëve mbi administrimi e drejtësisë. Rrjedhimisht, ka thënë se ndonëse Shalës iu dhanë mundësi të shumta qoftë me shkrim apo edhe gojarisht, ai ka dështuar që të shprehë pendesë dhe të shkëputet nga këto vepra penale.

Por, kryetarja Trendafilova ka thënë se do e konsiderojë pas dy muajsh modifikimin e dënimit ndaj Shalës, konkretisht pas një raporti tjetër nga administratorja.

Ndryshe, edhe kërkesa e Shalës për mbajtjen e një seance para Trendafilovës ishte refuzuar, pasi ishte konsideruar e panevojshme.

Ndryshe, më 19 shkurt 2025 është marrë vendimi për lirimin me kusht të Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit të cilët ishin dënuar me nga dy vite burgim pas marrëveshjes së pranimit të fajësisë në të njëjtin rast.

Më 4 shkurt 2025, është shpallur aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve, me ç’rast trupi gjykues i pranoi marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Kështu, Haxhi Shala u dënua me tri vite burgim dhe Bahtijari e Januzi me nga dy vite.

Trupi gjykues urdhëroi Shalën që të paguaj 400 euro për viktimën 1, ndërsa Januzin me 100 euro. Obligime financiare nuk u përcaktuan për Bahtijarin. Ky obligim është kryer dhe viktimës më 17 shkurt 2025 i janë dorëzuar mjetet.

Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës. Shala ishte pajtuar për burgim me tri vite, Januzi me dy deri në dy vite e gjysmë, kurse Bahtijari për dy vite burgim.

Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për krimet për të cilat e pranuan që i kanë bërë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sa i takon aspektit procedural, më 8 shkurt 2024, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale, duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se, vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike. Si rrjedhojë, u vendos që çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Megjithatë, akuza të reja u shtuan edhe për Bahtijarin dhe Januzin për frikësim përmes premtimit apo dhuratës. Këto akuza u përfshinë në aktakuzën e përbashkët ndaj tre të akuzuarve, si dhe ndryshimet në atë u konfirmuan më 8 korrik 2024. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte dorëzuar më 10 korrik aktakuzën e përbashkët së bashku me ndryshimet përkatëse.

Ashtu sikurse për akuzat paraprake, Bahtijari dhe Januzi ishin deklaruar të pafajshëm. Kjo situatë ndryshoi edhe datat që ishin vendosur për kalimin e çështjes te trupi gjykues, ku fillimisht ishte caktuar data 21 qershor, pastaj 5 dhe 22 korrik 2024.

Vlen të theksohet se, Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahet nga Bahtijari dhe Januzi, në mënyrë që të ketë një gjykim më të përshpejtuar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.

Çështja ndaj këtyre tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator, ku më pas, në seancat përgatitore, u vendos që gjykimi të fillojë me 14 nëntor 2024. Por, me kërkesën e palëve për t’i finalizuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykimi u shty.

Më 13 nëntor, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit dhe, më 6 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar versionin e rishikuar të aktakuzës, ashtu siç kishte urdhëruar trupi gjykues, duke përfshirë edhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Në aspektin procedural, marrëveshjet e arritura mes Shalës dhe Januzit ishin pranuar, kurse ajo e Bahtijarit u cilësua se kishte mangësi procedurale.

Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan atë trupit gjykues. Lidhur me këtë, palët kishin dorëzuar më 17 dhjetor 2024 aktakuzën e rishikuar, e cila në bazë ishte ajo e 10 korrikut 2024, por përfshinte edhe ndryshimet e bëra të asaj të 17 dhjetorit lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë.

Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë për krimet që kanë kryer si dhe u pranua proceduralisht marrëveshja e arritur mes ZPS-së dhe Bahtijarit. Ndërsa, më 19 dhjetor Bahtijari u shpreh i penduar dhe fajtor.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.