Rama: Partneriteti me SHBA-në, garanci për zhvillimin afatgjatë të Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ritheksuar rolin kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimin dhe stabilitetin e kryeqytetit, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një aleancë strategjike të bazuar në vlera të përbashkëta.
Gjatë një takimi të mbajtur në Odën e Kryeqytetit, Rama priti zëvendësshefen e Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, e cila e uroi atë për mandatin e ri dhe konfirmoi vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për Prishtinën.
“Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara është një nga themelet kryesore mbi të cilat ndërtohet vizioni ynë për një Prishtinë të zhvilluar, të qëndrueshme dhe demokratike”, ka deklaruar Rama.
Ai theksoi se marrëdhëniet me SHBA-në shkojnë përtej komunikimit institucional dhe përfaqësojnë një partneritet të thellë politik dhe shoqëror.
“Kjo aleancë është e ndërtuar mbi besimin reciprok, demokracinë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen e qytetarëve tanë”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Nga ana tjetër, Prattipati riafirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur zhvillimin e gjithanshëm të Kryeqytetit, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet lokale.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe SHBA-së, me fokus në projekte zhvillimore dhe forcimin e institucioneve demokratike.