Parashikimi i motit për javën e ardhshme
Java e ardhshme do të karakterizohet me mot të vranët, dhe me intervale me diell. Në orët e mëngjesit parashihen mjegulla, të cilat do të zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, sidomos në ultësira dhe pranë zonave ujore.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nuk parashihen reshje të asnjë forme, ndërsa për shkak të temperaturave të ulëta, në orët e para të mëngjesit mund të shfaqet brymë dhe në disa zona edhe krahnezë, ndërsa në vise të larta parashihen më shumë rreze dielli për shkak të inverzionit.
“Kushtet agrometeorologjike vlerësohen si relativisht të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore, sidomos për bujqit të cilët, për shkak të reshjeve të mëdha gjatë muajve tetor dhe nëntor, nuk kanë arritur të kryejnë me kohë mbjelljen e tokave të tyre ne kulturën e grurit”, njofton IHMK.
Bëhet e ditur se gjatë mbjelljes së vonshme të grurit, rekomandohet respektimi i këtyre kritereve agroteknike: rritja e normës së mbjelljes ( shtimi i sasisë së grurit në kg), përdorimi i farës cilësore dhe të certifikuar, përshtatja e thellësisë së mbjelljes sipas kushteve të tokës.
Sipas IHMK-së, zbatimi i këtyre masave do të ndikojë pozitivisht në mbirjen e bimëve dhe në sigurimin e një rendimenti sa më të qëndrueshëm.