Mbërrin në Gazë ndihma humanitare e Kosovës për popullin palestinez
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë të ditur se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza.

Gërvalla, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se ka marrë konfirmimin dërgesa në vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren.

“E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje, Gërvalla shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar.