15 kandidatë në garë për tri pozita për gjyqtar në Gjykatën e Apelit
Sipas listës së publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pesëmbëdhjetë kandidatë kanë aplikuar për tri pozita për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Lista e kandidatëve:
Alban Ajvazi;
Adnan Kamberi;
Arben Hoti;
Armend Berisha;
Fatime Dermaku;
Gëzim Shehu;
Hysni Ismajli;
Kujtim Krasniqi;
Liridona Ajeti-Kajtazi;
Lutfi Shala;
Ngadhnjim Arrni;
Nikoll Komani;
Rilind Sermaxhaj;
Shaban Shala, dhe
Violeta Namani-Hajra.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 352-të, kishte shpall konkurs për avancimin e tre gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit më 30 shtator 2025.
Në këtë takim ishte caktuar edhe paneli për intervistim me këtë përbërje:
Albert Zogaj- kryetar;
Teuta Ibrahimi- anëtare;
Burim Ademi- anëtar;
Kadrije Goga-Lubishtani- anëtare dhe
Drita Rexhaj– anëtare
Tashmë, Këshilli ka dërguar ftesën për monitorim të procesit të intervistimit, që është planifikuar të zhvillohet më 16 dhe 17 dhjetor 2025.
Në ftesën e dërguar, KGJK-ja ka theksuar se procesi bazohet në parimin e meritokracisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe në një proces tërësisht objektiv, duke e konsideruar shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e monitoruesve.
Procesi i avancimit bazohet në Rregulloren nr. 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë për gjyqtarë dhe plotësimet/ndryshimet e Rregullores nr. 04/2023.
Sipas këtyre akteve nënligjore, kandidatët e suksesshëm mund të poentohen deri në 100 pikë, dhe kandidati duhet të arrijë së paku 70 pikë që të mund të rekomandohet për votim në Këshill, e që i njëjti pastaj të votohet për ngritje në detyrë.
Sipas Rregullores, vlerësimi i fundit i performancës vlerësohet me 50 pikë, aftësitë profesionale me 15 pikë, analizimi dhe interpretimi i normave ligjore dhe akteve ndërkombëtare me 15 pikë, përvoja e punës si gjyqtar dhe aftësia për të punuar me ngarkesë me 10 pikë, si dhe performanca profesionale dhe integriteti profesional me 10 pikë.
Pas përfundimit të intervistimit, hartohet raporti përfundimtar i vlerësimit të kandidatëve, duke nxjerrë pikët nga secili anëtar i panelit dhe mesataren e pikëve.
Në këtë raport përfundimtar, po ashtu njihet e drejta për kërkesë rishqyrtimi brenda 5 ditësh, dhe pas kësaj, kandidatët me mbi 70 pikë rekomandohen në Këshill për votim./BetimipërDrejtësi