“Remi”: Nga viti 2000 u zhvillua luftë e pandërprerë ndaj UÇK-së, por narrativi po rrëzohet
Foto: Zëri

“Remi”: Nga viti 2000 u zhvillua luftë e pandërprerë ndaj UÇK-së, por narrativi po rrëzohet

Aktuale December 14, 2025 - 08:27

Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi” ka thënë se që nga viti 2000 është zhvilluar një luftë e pandërprerë propagandistike kundër UÇK-së, duke krijuar një narrativë që synonte ta paraqiste atë si të panevojshme për vendin. Ai theksoi se ky narrativ po rrëzohet, sidomos pas zhvillimeve të fundit që, sipas tij, kanë zbuluar padrejtësitë e kësaj qasjeje. Remi u shpreh optimist se Kosova po hyn në një fazë të re, ku e vërteta për UÇK-në po rikthehet në vendin që meriton.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se propaganda e krijuar ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shkon drejt përfundimit dhe se vendi po hyn në një fazë të re politike dhe shoqërore.

Mustafa tha se nga viti 2000 e tutje është zhvilluar “një luftë e pandërprerë” ndaj ish-luftëtarëve, duke krijuar një narrativë të rreme se ata nuk i duhen vendit.

“Është konpaskrijue një narracion se ne nuk i duhemi venit”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo propagandë ishte e sponsorizuar dhe e ushqyer për vite të tëra.

Sipas tij, goditja e këtij narracioni ka ardhur sidomos pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale.

“Po, mendoj që po. Gjykata Speciale i dha fund kësaj propagande”, tha Mustafa në Rtv Dukagjini, duke theksuar se epoka e ndarjes dhe polarizimit të shoqërisë duhet të marrë fund.

Ai vlerësoi se tani është koha që Kosova të rifillojë procesin e transformimit politik, i cili, sipas tij, ishte pamundësuar për një kohë të gjatë për shkak të sulmeve dhe presionit të vazhdueshëm ndaj ish-krahut të luftës.

“Nuk jemi mujt me provu transformimin e drejtë të politikës nga koha e okupimit në kohën e lirisë… asnjëherë nuk jemi mujt të konsolidohem mirë”, tha Mustafa.

Ish-komandanti u shpreh optimist për muajt e ardhshëm, duke i cilësuar si “muaj fitimtarë për Ushtrinë Qytetare të Kosovës”.

Ai theksoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e aleatëve të tjerë historikë mbetet vendimtare në këtë proces.

“Na erdhi ndihmë e pakursyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Mustafa.

Ai theksoi se politika kosovare ka nevojë për figura me përvojë dhe kontribut në shtetformim, ndërsa beson se vendi është i gatshëm për një kapitull të ri.

“Besoj që tani ka ardhur koha… Kosova ka vend në vendet e qytetëruara botërore”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, fryma e lirisë dhe përvoja e brezit që e solli pavarësinë do të mundësojë transformimin e mëtejshëm të vendit.

“Kjo frymë e lirisë ka me mujt me bo këtë transformim dhe kemi me e bo” përfundoi ai.