Osmani takon Papa Leon XIV, kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Selinë e Shenjtë, ku është pritur në takim nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.
Gjatë vizitës, presidentja Osmani ka zhvilluar po ashtu takime edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, si dhe me Monsignor Paul Richard Gallagher, Sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet.
Pas takimeve, Osmani ka deklaruar se kjo ditë përbën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Vatikanit. Ajo theksoi se gjatë takimit me Papën ka përcjellë shpresën dhe besimin e popullit të Kosovës që Selia e Shenjtë të marrë vendimin e shumëpritur për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, një vendim i tillë do të kontribuonte jo vetëm në mirëqenien dhe suksesin e Kosovës, por edhe në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në kontinentin evropian.
Ajo theksoi gjithashtu kontributin historik të Kosovës, duke përmendur figura të rëndësishme si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shën Tereza, si dhe rolin e Dardanisë në historinë e krishterimit dhe humanizmit evropian.
Presidentja Osmani bëri të ditur se gjatë vizitës ka përcjellë urimet e popullit të Kosovës për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, si dhe ka ftuar Papa Leon XIV që të vizitojë Republikën e Kosovës.
“E ftova Shenjtërinë e Tij që të vizitojë Kosovën, me shpresën që një vizitë e tillë të realizohet sa më parë”, u shpreh Osmani nga sheshi kryesor i Vatikanit.