“Turistët snajperistë” dhe “çetnikët e fundjavës”: Kush ishin të huajt në rrethimin e Sarajevës?

“Turistët snajperistë” dhe “çetnikët e fundjavës”: Kush ishin të huajt në rrethimin e Sarajevës?

Aktuale December 13, 2025 - 09:48

Në vendin ku si dhjetvjeçar u godit nga snajperi, në tetor të vitit 1992, Elvedin Suliq sot qëndron i qetë, duke menduar për fytyrën e panjohur të personit që qëlloi mbi të dhe mbi qindra fëmijë të tjerë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Shkëmbinjtë e mprehtë ishin një nga bazat e snajperistëve të Ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë.

Prej aty, snajperistët kishin pamje të qartë mbi rrugën ku banonte Elvedini në lagjen e vjetër Sedrenik.

“Isha kështu, me shpinën kthyer, duke luajtur me fëmijët. Dëgjova një breshëri të shtënash. Të gjithë fëmijët ikën, të shpërndarë, por unë u qëllova”, kujton Elvedini plagosjen e tij në vitin 1992.

Ai thotë se snajperisti nuk u ndal pas goditjes së parë: “Përpiqej të më eliminonte, të më vriste qëllimisht”.

Hasan Jusoviq, fqinj i Elvedinit dhe shofer taksie, kujton gjithashtu se snajperisti ishte këmbëngulës në planin e tij për ta vrarë fëmijën.

“E tëra çfarë dëgjoja, ishte një rënkim. Thanë, një fëmijë i plagosur”.

Hasani kishte makinë dhe donte ta çonte Elvedinin në spital.

“Të shtënat filluan përsëri, u ktheva, fëmija ishte në ulësen e pasme, i shtrirë, i përgjakur… Gjak kishte në të gjithë ulësen. Nisa makinën me shpejtësi të plotë drejt spitalit. Fëmija ulërinte, por ishte i vetëdijshëm. Xhami i pasmë shpërtheu, më goditi…”, kujton Hasani.

Gjatë pothuajse katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës nga Ushtria e Republikës Sërpska, çdo i dhjeti fëmijë nga mbi 1.600 që u vranë në qytet, u godit nga snajperi, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Mbi 14.000 fëmijë u plagosën.

Elvedini nuk e mori vesh kurrë se kush ishte njeriu që e plagosi

Asnjë snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska nuk është ndjekur penalisht, edhe pse, sipas vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, fushata e snajperëve kishte për qëllim terrorizimin e civilëve në Sarajevë, ku u vranë mbi 11.000 njerëz.

Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, mediat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në mbarë botën shkruajnë sërish për vrasjet e qytetarëve të Sarajevës nga snajperët.

Këtë herë, terrori ka marrë edhe një dimension të ri, pas nisjes së hetimeve nga prokuroria në Milano për të ashtuquajturit “turistë snajperistë” dhe “safarët me snajper”.

Image

Hetimi nis para publikimit të librit

Në fillim të nëntorit, mediat italiane raportuan se prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim për “snajperistët e fundjavës”, të cilët, sipas denoncimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni, paguanin shuma të mëdha për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska rreth Sarajevës dhe për të vrarë civilë me snajperë, kryesisht “për kënaqësinë” e tyre.

Gavazzeni, pas disa përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për ta intervistuar, bëri të ditur se nuk dëshiron të flasë.

Ndërkohë, ai mbajti një konferencë për shtyp në Milano, ku njoftoi se në shkurt do të publikojë një libër mbi “safarët me snajper”.

Ai tregoi se për herë të parë kishte lexuar për shkuarjen e të huajve në luftë në vitin 1995, në një artikull në gazetën “Corriere della Sera”, dhe kishte filluar të shkruante mbi këtë temë.

Megjithatë, ai ndaloi pasi kuptoi se informacioni ishte shumë i pakët.

Situata ndryshoi vetëm në vitin 2022 me dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven, Miran Zhupaniç.

Si në film, ashtu dhe në padinë e këtij viti, figurë qendrore është Edib Subashiq – oficer në pension i Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai shpjegon se shërbimet e inteligjencës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës morën informacione rreth ardhjeve nga Italia pas arrestimit në vitin 1993 të një vullnetari serb nga qyteti Paraqin, në lagjen Hrasno Bërdo të Sarajevës.

“Atëherë kuptuam se ekzistonte një ‘safari’… që do të thotë se njerëzit paguanin për të qëlluar mbi njerëzit, ndryshe nga mercenarët e zakonshëm. Ne i njoftuam shërbimet e inteligjencës italiane, që ishin pjesë e UNPROFOR-it në Sarajevë në atë kohë. Ua dhamë të dhënat dhe kërkuam hetime. Shumë shpejt, rreth fillimit të vitit 1994, morëm përgjigje se ishte gjetur vendi në Itali nga ku organizohej gjithçka dhe se autoritetet italiane e kishin ndalur këtë aktivitet”, përsëriti Subashiq disa herë për mediat, në nëntor dhe dhjetor, pas nisjes së hetimeve.

Ajo që askush nuk e thotë është përse Italia, menjëherë pas këtyre zbulimeve, nuk nisi hetime dhe nuk i ndëshkoi organizatorët dhe pjesëmarrësit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga agjencitë italiane të inteligjencës, prokuroria në Milano, si dhe nga Ambasada e Italisë në Sarajevë dhe përmes konsullit të përgjithshëm të Bosnje dhe Hercegovinës në Milano, por askush nuk dha koment.

Sipas Gavazzenit, pjesëmarrësit takoheshin në Trieste, përpara se të udhëtonin në Beograd dhe më pas në Sarajevë, drejt pozicioneve të snajperëve, nga ku mund të qëllonin mbi qytetarët.

Image

Nga Aeroporti i Triestes thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë të dhëna për fluturimet e viteve ’90.

Edhe nëse ka pasur të tilla, ato janë ruajtur vetëm për dy vjet.

“Gjithçka që lidhet me fluturimet e mbi tridhjetë vjetëve më parë, nuk ekziston më, as në kujtesë. Edhe statistikat e trafikut nga ato vite, që ruhen sot, janë të përgjithshme”, thanë nga Aeroporti i Triestes në përgjigje të pyetjes mbi të dhënat ose dëshmitë për udhëtimet e “turistëve snajperistë”.

Ajo që Gavazzeni nuk e thotë, është nëse dihet identiteti i ndonjërit prej atyre personave që po hetohen nga prokuroria nën dyshimet për “vrasje me qëllim të paramenduar” dhe “motive të ulëta”.

“Safari” para Tribunalit në Hagë

Fjala “safari”, e përdorur për të përshkruar të huajt që qëllonin mbi qytetin e rrethuar për “argëtim”, u përmend për herë të parë në vitin 2003 në Tribunalin e Hagës, gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur C-017, në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, president i atëhershëm i Serbisë, i akuzuar për krime lufte.

Dëshmitari identifikoi Nicholas Ribiqin, i njohur si “Kanada”, pasi vinte nga Kanadaja, dhe tha se ai kishte ardhur për një “safari, për të gjuajtur njerëz”.

Se kur dhe si mbërriti Ribiq në Sarajevë nuk dihet, por dihet se ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina.

Më vonë, ai iu bashkua Njësisë Speciale të Ushtrisë së Republikës Sërpska “Beli Vukovi” (Ujqërit e Bardhë), e formuar në vitin 1993.

“Ndoshta e tërhoqi origjina e tij dhe për këtë iu bashkua ushtrisë serbe… Ai ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina”, thotë Janko Sheshllija, ish-pjesëtar i kësaj njësie, i cili e mohon ekzistencën e turistëve që qëllonin mbi banorët e Sarajevës për para.

Megjithatë, kishte vullnetarë të huaj. Sheshllija thotë se ata kishin ardhur për arsye ideologjike për të luftuar.

“Kishte vullnetarë nga Rusia, Ukraina dhe nga vendet e Lindjes. Madje, ishte edhe një francez, nëse doni shembull konkret, një francez i vërtetë, jo me origjinë serbe”, thotë ai.

Fakti që Ribiq qëndroi më shumë se një fundjavë në Sarajevë, konfirmohet edhe nga pamjet e kapjes së pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së si pengje në Pale, si dhe nga një proces gjyqësor që u zhvillua më vonë në Kanada.

Për shkak të lidhjes së paqeruajtësve me shtyllat elektrike, për të parandaluar sulmet e planifikuara të NATO-s mbi pozicionet serbe, Ribiq u dënua në Kanada me tre vjet burg.

Por, nuk ishte vetëm Ribiq me pasaportë kanadeze që ishte në pozicionet serbe mbi Sarajevë.

Emir Ramiq, drejtor i Institutit për Kërkime Gjenocidi në Kanada, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka informacione se disa persona ishin të përfshirë.

“Kemi informacione se bëhej fjalë për fundjava, që do të thotë të premten, të shtunën, të dielën… Gjithashtu, kemi informacione se qytetarë kanadezë që aktualisht nuk jetojnë në Kanada, që janë diku tjetër, kanë marrë pjesë në këtë”, thotë Ramiq.

Ai shton se ka informacione se edhe gjyqësori kanadez do të fillojë veprime përgatitore hetimore, në lidhje me këto udhëtime.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU: