Ushtarët amerikanë në Kosovë me kapacitete të reja kundër kërcënimeve ajrore

Ushtarët amerikanë në Kosovë me kapacitete të reja kundër kërcënimeve ajrore

Aktuale December 12, 2025 - 16:28

Ushtarët amerikanë të Komandës Rajonale Lindore në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, kanë zhvilluar së fundi një trajnim të specializuar për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve – një aftësi gjithnjë e më e domosdoshme në mjedisin aktual të sigurisë.

Pajisjet e përdorura në këtë trajnim funksionojnë duke ndërprerë frekuencat e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të rikthehet tek operatori.

Ato mund të ndërhyjnë gjithashtu në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të qëndrojë pezull, të ulet ose edhe të bie.

Sipas KFOR-it, ushtrimet e tilla rrisin aftësitë teknike të trupave dhe theksojnë rëndësinë e koordinimit, punës ekipore dhe përshtatshmërisë ndaj kërcënimeve të reja ajrore.

Këto kapacitete tashmë janë përdorur edhe në situata operative, duke rritur efektivitetin e misionit përballë sfidave në zhvillim.

Misioni thekson se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolin e vet si përgjegjës për sigurinë.