Lahuta shqiptare zyrtarisht në UNESCO, gëzohen lahutarët

Lahuta shqiptare zyrtarisht në UNESCO, gëzohen lahutarët

Aktuale December 11, 2025 - 21:52

Përfshirja zyrtare e lahutës shqiptare në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s është mirëpritur me entuziazëm në Kosovë, veçanërisht nga lahutarët, të cilët prej vitesh kultivojnë këtë art unik të trashëguar brez pas brezi. Vendimi shihet jo vetëm si njohje e vlerave kulturore shqiptare, por edhe si shmangie e rrezikut që, sipas tyre, ky instrument të përvetësohej nga Serbia.

Lahutari Mustafë Rama tregon se lajmi i UNESCO-s e ka gëzuar thellë, sidomos pas shqetësimeve të hershme mbi pretendimet serbe.

“Ka qenë preokupim ato ditë kur e pat marrë Serbia. Pyetja që më rëndonte më së shumti ishte si na e morën. Lajmi më gëzoi jashtëzakonisht. Kjo është një mrekulli – pas xhubletës, valles dyshe të Tropojës, tani edhe lahuta. Gëzim i madh,” u shpreh Rama.

Edhe studiuesi i etnologjisë Bekim Vishaj, e vlerëson këtë si një arritje të rëndësishme, e cila erdhi pas një pune të gjatë dhe angazhimi profesional të ekipit që përgatiti dosjen për UNESCO-n.

“Dua të përgëzoj ekipin profesional që e përgatiti dhe dorëzoi dosjen. Lahuta ka jetuar në gjithë Ballkanin, por historikisht, me dokumente e dëshmi, shqiptarët janë populli më i vjetër në këtë rajon. Logjikisht, lahuta është instrument tradicional i shqiptarëve ndër shekuj e mijëvjeçarë”, tha Vishaj.

Ai shtoi se, tani që lahuta shqiptare është pjesë e mbrojtjes së vlerave botërore, nevojitet ruajtja, kultivimi dhe promovimi i saj me organizime kulturore, festivale dhe nisma të tjera që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi.

Përfshirja në UNESCO shihet si një moment historik për kulturën shqiptare, duke konfirmuar vlerat e lahutës si simbol i identitetit dhe kujtesës sonë kolektive./rtk