Sulmi në Banjskë e Ibër-Lepenc, Fatoshi: BE-ja duhet ta ndëshkojë Serbinë
Foto: Laura Hasani

Sulmi në Banjskë e Ibër-Lepenc, Fatoshi: BE-ja duhet ta ndëshkojë Serbinë

Aktuale December 11, 2025 - 19:59

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fatoshi, ka deklaruar se zhvillimet në arenën ndërkombëtare, nga vlerësimi i komunitetit të jashtëm të Kongresit amerikan, te deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për përgjegjësinë e Serbisë në Banjskë, e deri te kërkesa e BE-së për procedimin e Milan Radojçiqit, tregojnë rritje të presionit ndaj Beogradit.

Megjithatë, ai paralajmëron se këto nuk janë të mjaftueshme. Sipas Fetoshit, duhet të ketë masa ndëshkuese radikale për të disiplinuar regjimin e Aleksandër Vuçiqit.

“Edhe nëse i referohemi ditë më parë asaj që doli si vlerësim nga komiteti i jashtëm i Kongresi amerikan. Edhe nëse i referohemi deklaratave të sekretarit të NATO-s që  Serbisë duhet t’i kërkohet llogari për Banjskës. Që kemi një rritje të presionit të BE-së sa i përket procedimit të Radojcitit dhe grupit të tij nga drejtësia në Serbi. Por, unë jam i sigurt që nuk mjafton vetëm presioni e kushtëzimi. Por, presioni duhet të konsistojë në masa më radikale, ndëshkuese ndaj Serbisë. Të cilat janë të mundshëm në disa nivele. Dhe të cilat do të kishin efekt disiplinues për Vucicn dhe aparatin e tij kërcënues për sigurinë rajonale”, ka thënë Fetoshi.

Këto komente Fatoshi i dha në TV Dukagjini, ku foli edhe për aktakuzën e ngritur ndaj vëllezërve Jovan e Dragisha Viçentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

Sipas tij, aktakuza dhe provat shkencore të mbledhura nga organet e hetimit e kanë mbyllur përfundimisht debatin për përgjegjësinë e Serbisë.

“Unë mendoj që ky është aspekti më i rëndësishëm i gjithë procesit të hetimeve të sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Për shkak se, siç e dini, jo vetëm që ka pasur një përpjekje të shpërndarjes së mjegullës dhe të kontestimit të krejt këtij procesi në opinionin publik në Kosovë. Dhe jo vetëm që ka pasur një përpjekje nëpërmjet BIA-s, presidentit të Serbisë Vuçiç, për të hedhur fajin nëpërmjet saj, që njihet si metodë ‘false flag’. Në kuptimin që të hedhë gurin dhe të fshehë dorën. Ka pasur edhe një pikëpyetje sa i përket kredibilitetit të procesit hetimor. E cila mendoj se është mbyllur plotësisht me ekspertizën gjeologjike të FBI-së, përfshirjen e FBI-së në krejt procesin e hetimeve dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë. Me qëllim që t’i jepet vula e kredibilitetit në kuptimin e të mos ketë asnjë hapësirë kontestimi nga ana e Serbisë, për shkak se kjo që ka ndodhur me aktakuzën e fundit për tre serbët e akuzuar për sulmin, e konfirmon katërçipërisht përgjegjësinë e Serbisë dhe ndërlidhjen e kësaj vepre me Serbinë. Nëse i referohemi faktit që njëri nga të akuzuarit është pjesëtar i shërbimit informativ ushtarak të Serbisë…

Nëse i referohemi mënyrës se si funksionon krejt aktiviteti hibrid i Serbisë kundër Kosovës, lehtësisht e konstatojmë se në qendër dhe në krye të komandës së krejt aktiviteteve është Aleksandër Vuçiq. Dhe në qoftë se i referohemi përgjegjësisë së Serbisë në rastin e Banjskës sa i përket lidhjeve të konfirmuara të Radojçiqit me Vuçiqin, në prezantimet e ndryshme të agjendave politike që i ka mbështetur Vuçiqi për Radojçiqin dhe grupin e tij. Në anën tjetër e kemi edhe një konfirmim shkencor sa i përket përgjegjësisë së tre të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc…”, ka shtuar Fetoshi.