Pas aktakuzës për sulmin në Ibër-Lepenc, Fetoshi: BE-ja duhet të rishikojë urgjentisht qasjen ndaj Serbisë, t’i kërkohet llogari
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të rimendojë me urgjencë qasjen e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale lidhur me sulmin terrorist ndaj kanalit Ibër Lepenc.
Fetoshi theksoi se përfshirja e FBI-së në procesin hetimor ka eliminuar çdo dyshim mbi autorësinë e sulmit dhe lidhjen e tij me strukturat serbe të sigurisë.
“E para, përfshirja e FBI-së në hetime eliminon çdo hapësirë për dyshim lidhur me rezultatet dhe aktakuzën, pra ia mbyll gojën Serbisë dhe ia heq dilemat institucioneve ndërkombëtare, sa i përket autorësisë dhe ndërlidhjes së tyre me strukturat serbe të sigurisë. E dyta, rezultatet e ekspertizës së FBI-së konfirmojnë jo vetëm sulmin e organizuar terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe përgjegjësinë e drejtpërdrejt të Serbisë me spiunin e VBA-s, kolonelin Jovan Viçentijeviq dhe arsenalin e armëve, municionit dhe uniformave serbe e ruse të zëna gjatë bastisjes së tyre”, ka thënë Fetoshi për Telegrafin.
Fetoshi tha se faktorët ndërkombëtarë nuk duhet të heshtin, sepse siç tha ai “një gjë e tillë do t’i jepte hapësirë tendencave mashtruese të Serbisë siç u mundua të bënte në këtë rast, dhe do të lexohej si inkurajim për sulme të tilla në të ardhmen”.
Drejtori i institutit “Octopus” potencoi se Bashkimi Evropian duhet ta rishikojë me urgjencë qasjen e gabuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar llogari nga Serbia për sulmet e tilla që minojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Një gjë është e sigurt: mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është shpërblim për taktikat hibride të Beogradit dhe Moskës”, tha Fetoshi.