Shtimi i një anëtari në KPK, në duart e Supremes

Shtimi i një anëtari në KPK, në duart e Supremes

Aktuale December 11, 2025 - 08:05

Caktimi i një anëtari të ri në Këshillin Prokurorial të Kosovës është në duart e Gjykatës Supreme, pasi ky organ është duke trajtuar një padi për këtë çështje. Një lëvizje në këtë drejtim është bërë, pasi është caktuar seanca me 3 shkurt, mirëpo, kjo po del të jetë vonë, pasi me 1 janar hyn në fuqi ligji i ri për KPK-në.

Rregullorja për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës është në sirtarin e Gjykatës Supreme.

Meqë kjo e fundit ka në shqyrtim një padi, megjithatë seancën për ta shqyrtuar e ka vendosur një muaj pasi ligji i ri për KPK hyn në fuqi.

E kur do të caktohet seanca tregoi, Gjykata Supreme.

“Ju njoftojmë se për padinë administrative, e cila ka për objekt shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ – Rregullores Nr.05/2025 të datës 03.09.2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial te Kosovës, konkretisht nenit 5 paragrafi 1 dhe 2, nenit 10 paragrafi 11 dhe 12, Gjykata Supreme, ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor për datë 03 shkurt 2026, ora 10:30”, thuhet nga Gjykata Supreme.

Për caktimin e seancës janë në dijeni edhe vet Këshilli Prokurorial i Kosovës, veçse theksojnë që caktimi i seancës për shqyrtim të padisë është caktuar, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të KPK-së.

“KPK është në dijeni për caktimin e një seance për shqyrtimin e kësaj çështjeje më datë 03.02.2026, e cila lidhet me zbatueshmërinë e dispozitave aktuale të kësaj rregulloreje. Ndërkohë, Ligji i ri për KPK-në hyn në fuqi më datë 1 janar 2026”, thonë nga KPK-ja.

Se çfarë do të ndodhë pas datës 1 janar, pra pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për KPK-në, tregoi avokati Asdren Bytyqi.

“Ligji do të hyjë në fuqi dhe tashmë anëtarët e rijnë të cilët do të caktohen, pas përfundimit të mandatat të gjithë anëtarëve të mandatit aktual do të duhet të zgjidhen sipas përcaktimeve të ligjit të ndryshuar të KPK-së, i cili përcakton një përbërje të përzier në mes anëtarëve të cilët vijnë nga institucionet e prokurorisë, përkatësisht edhe kryeprokurori dhe tre anëtarët e tjerë nga prokuroritë e ndryshme. E anëtarët e tjerë që janë anëtar që nuk vijnë nga prokuroria, por vijnë nga fushat e ndryshme e të cilët parimisht duhet të plotësojnë një mori kriteresh edhe nga përgatitja profesionale, por edhe nga e kaluara kriminale dhe integriteti i pastër në mënyrë që të kalojnë filtër për tu votuar në Kuvend”, shprehet Bytyqi.

Bytyqi tutje thotë se po i sheh me shqetësime zhvillimet e fundit në KPK, duke thënë që ato po e dëmtojnë imazhin e vendit dhe besueshmërinë në institucionet e drejtësisë në këtë rast të Prokurorisë. /teve1