Inspektorati për rastin tragjik në Pejë: Viktima ishte vëllai i pronarit të shtëpisë, s’kishte qenë i angazhuar si punëtor
Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas rastit në Graboc të Pejës, ku një person ka vdekur pasi ka rënë nga tri metra lartësi. Policia tha se ai ka vdekur derisa ishte duke punuar në një shtëpi, mirëpo Inspektorati sqaron se rasti ka ndodhur në një shtëpi private, pronari i së cilës jeton jashtë vendit.
“Në lidhje me publikimet në disa media rreth një rasti të ndodhur më datë 09.12.2025 në një shtëpi private në fshatin Grabovc, Komuna e Pejës, ku është raportuar gabimisht se bëhet fjalë për “aksident në vend pune”, Inspektorati Qendror i Punës sqaron opinionin publik se: Bazuar në raportin zyrtar të inspektimit, është konstatuar se: Ngjarja ka ndodhur brenda një shtëpie private të një pronari i cili jeton jashtë vendit”.
Inspektorati shton se i ndjeri ka qenë vëllai i pronarit të shtëpisë dhe nuk ka qenë i angazhuar si punëtor.
“Personi i ndjerë, ka qenë vëllai i pronarit të shtëpisë, dhe nuk ka qenë i angazhuar si punëtor, por është gjetur i lënduar brenda objektit nga punëtorët e suvatimit të angazhuar vetëm për pjesën e jashtme të shtëpisë. Nga deklarimet e marra nga inspektorët dhe palët e pranishme (Policia) dhe nga kamerat e sigurisë, është vërtetuar se askush nga punëtorët nuk ka punuar në pjesën e brendshme të shtëpisë në momentin e ngjarjes. Inspektorati konstaton se nuk ekziston raport punëdhënës–punëmarrës, pasi i ndjeri nuk ka qenë punëtor dhe nuk kishte marrëdhënie pune sipas Ligjit Nr. 03/L-212 për Punën dhe Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Prandaj, rasti nuk lidhet me vendin e punës dhe nuk hyn në kategorinë e aksidenteve në punë sipas legjislacionit në fuqi”.