Betohen kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit Komunal

Betohen kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit Komunal

Aktuale December 10, 2025 - 14:24

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit Komunal kanë dhënë betimin të mërkurën, në seancën inauguruese, të cilën e ka udhëhequr anëtari, Isa Agushi.

“Përkundër faktit që ne vijmë nga subjekte të ndryshme politike, misioni ynë i përbashkët është mbrojtja e interesave të komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të saj bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi”, ka thënë Agushi.

Image

Me ta dhënë betimin, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, gjatë adresimit para kuvendarëve, tha se më shumë se para aktit formal të betimit, sot jemi para një momenti reflektimi, përgjegjësie dhe shprese.

“Sot, duke qenë para secilit prej jush, unë ndjehem shumë krenar, sepse qyteti ynë ka qytetarë të mirë, të mençur e punëtorë, që besojnë në institucionet e tyre dhe te ardhmja e vendit. Pikërisht mbi këtë bazament moral e shoqëror, ndërtohet edhe vizioni ynë”, tha Hyseni.

Image

Ai theksoi se Komuna e Gjilanit tashmë ka nisur një tranformim të vërtetë, që nuk matet vetëm me kilometër gjatësi apo me metër katror ndërtim, por më shumë matet me mundësi të reja për njerëzit.

“Në këtë drejtim, bulevardi i ri që po realizohet, po bëhet shpirti modern i qytetit, stadiumi është një hapësirë e krenarisë sportive dhe e rinisë, projekti flows që ka ndikim të madh në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë, impianti i ujërave të zeza, që pas një kohe të gjatë do të garantojë fundin e problemeve bazike, banimi i përballueshëm dhe social, një dorë e fortë për familjet që kanë nevojë por edhe ata që duan një fillim të ri. Shkolla e mjekësisë, pas 20 vitesh, është një vend që do t’i përgatis brezat e rinj të profesionistëve, për të vazhduar me sallën e sporteve, qendrën e kulturës, stacionin e autobusëve e dhjetëra projekte të tjera”, ka thënë Hyseni.

Image

I pari i Gjilanit, theksoi se sot bënë betimin solemn bashkë me asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit, një moment i rëndësishëm për qytetin tonë dhe të ardhmen.

“Betohem se do të vazhdoj t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Komunës së Gjilanit me besnikëri dhe ndërgjegje. Do të punojmë bashkë, me vizion dhe vendosmëri për të mirën e Gjilanit. Na priftë e mbara”, tha Hyseni.

Image