Serwer: Suspendimi i dialogut strategjik - pakënaqësi e SHBA-së me Kurtin, raportet me aleatët të riparohen pas zgjedhjeve
Foto: Laura Hasani

Serwer: Suspendimi i dialogut strategjik - pakënaqësi e SHBA-së me Kurtin, raportet me aleatët të riparohen pas zgjedhjeve

Aktuale December 10, 2025 - 13:29

Pas bllokadës disamujore për shkak të pozitës së kryetarit të Kuvendit dhe pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar një qeveri të re, Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor.

Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në rajon, Daniel Serwer, ka thënë se pret që këto zgjedhje të shkojnë mirë, të jenë të lira dhe fer.

I pyetur nëse Kosova mund të përballojë edhe një bllokadë tjetër të njëjtë pas këtyre zgjedhjeve, profesori amerikan thotë se shpreson që votuesi kosovar të tregohet mjaftueshëm i qartë për të shmangur një gjë të tillë.

Serweri vlerëson se përgjatë kësaj kohe është dëmtuar pozicioni i Kosovës.

“Po, por jo në mënyrë të pakthyeshme. Dhe ka anuluar një Dialog që ishte i destinuar të dështonte”, ka thënë ai për gazetën Express.

Serweri mendon se i përket votuesve kosovarë që të përcaktojnë fajtorin për bllokadën e ndodhur.

Sa u përket akuzave të ish-opozitës ndaj presidentes Vjosa Osmani se ka bërë lojën e Kurtit në gjithë ngjarjet e ndodhura që nga zgjedhjet e shkurtit, Serweri thotë se në sisteme parlamentare as Presidentja s’mund t’i ik përgjegjësisë.

“Nuk mendoj se kjo është e drejtë, por sigurisht që çdo dështim për të formuar një qeveri në një sistem parlamentar i ngarkohet pjesërisht kujtdo që është president”, shprehet ai.

Tutje ne këtë intervistë duke folur për raportin e Kosovës me SHBA-në dhe suspendimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, Serweri potencon se një gjë e tillë me një qeveri në detyrë që drejtohet nga Albin Kurti ka qenë e pashmangshme.

Sipas profesorit amerikan, mënyra sesi u mor vendimi ishte mesazh i Uashingtonit se janë të pakënaqur me Kurtin

“Shpallja e saj në mënyrën siç e bëri Uashingtoni kishte për qëllim të shprehte pakënaqësi ndaj Kryeministrit”, ka potencuar ai.

Përveç ekonomisë, arsimit dhe forcimit të ushtrisë, Serweri thotë se Kosova duhet t’i riparojë raportet me SHBA-në dhe BE-në, duke synuar gjithashtu edhe anëtarësimin në NATO.

“Kosova duhet gjithashtu të kërkojë të riparojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe Evropën, duke synuar anëtarësimin në NATO sapo Trumpi të largohet dhe Amerika të ketë një president të gatshëm të zgjerojë NATO-n”, potencon Serweri.

Për vazhdimësinë e dialogut Kosovë-Serbi, Serweri shprehet se nuk mund të ketë përparim në nivelin politik derisa në pushtet është Aleksandar Vuçiq.

“Ai nuk është i interesuar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thekson Serweri.

Sipas profesorit amerikan, SHBA-ja do të vazhdojë të bëjë presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse sipas Serwerit është gabim. Kosova, thotë Serweri, nuk do të jetë e gatshme të krijojë Asociacionit pa garancitë të cilat Beogradi s’do të jetë në gjendje t’i ofrojë.

“Krijimi i saj si OJQ, në bashkëpunim me Asociacionin ekzistues, do të më pëlqente”, shprehet ai.

Në fund, Serweri thotë se themelimi i Asociacionit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të mund të ishte një veprim që do të mund të rivendoste pozicionin e Kosovës në raport me aleatët dhe Serbinë, megjithatë sipas tij, Asociacioni do të duhej të krijohej në finale të procesit të dialogut.

“Mendoj se po. Por nuk jam i sigurt nëse as VV-ja dhe as opozita do të donin ta bënin këtë. Kjo do të krijonte rreziqe serioze për Kosovën pa njohjen diplomatike të sovranitetit të saj nga Serbia. Sipas mendimit tim, krijimi i Asociacionit do të vinte më së miri në fund të procesit të dialogut”, ka përfunduar profesori amerikan, Daniel Serwer.