Gjykata e konfirmon: Rozeta Hajdarit iu dërgua ftesa më 19 nëntor
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, sot nuk është paraqitur në seancën gjyqësore për rezervën shtetërore, gjë që çoi edhe në dështimin e nisjes së procesit gjyqësor për këtë rast.
Ajo u arsyetua se nuk ka pranuar ftesë nga Gjykata.
Mirëpo, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, konfirmoi se ftesa iu dërgua Hajdarit më 19 nëntor, përmes postës.
“Por, gjykata nuk e ka pranuar fletëkthimin nga posta se e pandehura Rozeta Hajdari e ka pranuar ftesën”, deklaroi Gashi për Klankosova.tv.
Ndryshe, para tri javësh, kur gazetarët i kërkuan sqarime për të njëjtat akuza, Rozeta Hajdari i shmangu pyetjet duke insistuar se të gjitha do t’i dëshmonte në gjykatë, me argumente e me prova, duke u krekosur se ka vepruar drejtë dhe s’është përfshirë në veprime të kundërligjshme.