IKD: Edhe në rastet me interes tejet të lartë publik mungoi llogaridhënia qeveritare

IKD: Edhe në rastet me interes tejet të lartë publik mungoi llogaridhënia qeveritare

Aktuale December 10, 2025 - 10:21

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të mërkurën ka publikuar raportin me titull “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare”, ku përmbledh të gjitha rastet e dyshuara për shkelje ligjore e korrupsion brenda qeverisë, të cilat ndër vite janë bërë objekt raportimi mediatik.

Në këtë raport, IKD-ja ka theksuar se rastet e prezantuara janë raportime publike, për të cilat në publik është ngritur dyshimi për vepra të ndryshme penale të natyrës korruptive.

“Rastet e prezantuara janë raportime publike, për të cilat në publik janë ngritur dyshimet për vepra të ndryshme penale të natyrës korruptive, e të cilat përbëjnë interes publik”, thuhet në raport.

IKD-ja thekson se nevoja për llogaridhënie është e padiskutueshme, por në këto raste kishte munguar ajo.

Sipas IKD-së, kjo llogaridhënie ka munguar pranë qytetarëve e në disa raste edhe pranë institucioneve të drejtësisë.

“Përkundër kësaj, me qëllim të forcimit të besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit dhe integritetin e institucioneve publike, nevoja për llogaridhënie publike është e padiskutueshme. Fatkeqësisht, siç tregohet në kapitujt në vijim, edhe pse rastet e përmendura përbëjnë interes tejet të lartë publik, mungoi llogaridhënia e plotë qeveritare pranë qytetarëve e në disa raste edhe pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë”, thuhet në raportin e IKD-së

Ndryshe, raporti i IKD-së “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare” u publikua në kuadër të Javës kundër Korrupsionit 2025, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.