Detaje nga aktakuza: FBI-ja vërtetoi baltën në çizmet e vëllezërve, “ADN-ja e Viçentijeviq në fitilin ndezës”
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijevq si dhe ndaj Igor Dimoviç, për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Vëllezërit Viçentijeviq akuzohen për “bashkëkryerje të veprës penale “rrezikim të rendit Kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” dhe veprës penale “terrorizëm”.
Aktakuza të cilën e ka siguruar TV Dukagjini, përshkruan në detaje se si vëllezërit Viçentijeviq, bashkë me persona të tjerë, më 29 Nëntor 2024 rreth orës 18:50 kishin vendosur eksplozivin e më pas kryer shpërthimin.
“Të pandehurit, së bashkë me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak (rreth 20 kilogram të llojit “TNT”) në brendësi të kanalit, përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktoj dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar nj shpërthim të fuqishëm”, thuhet në aktakuzë.
Nëpërmjet këtij veprimi, të dy akuzohen se kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtim të infrastrukturës kritike, me ç’rast ndërmarrjes Ibër-Lepenci i është shkaktuar dëm në vlerë 376 mijë euro.
Vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq akuzohen edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”, pasi u ishin gjetur armë dhe municione, pas arrestimit.
Atyre u ishin gjetur edhe rrobat dhe çizmet e lagura, e po ashtu edhe uniforma e veshje ushtarake përfshirë të tilla të NATO-s.
Aktakuza saktëson se, sipas ekspertizës së ADN-së e cila ishte kryer në Itali, Jovan Viçentijeviq kishte pasur kontakt me fitilin ndezës
“Po, sipas rezultatit të përfituar nga AKF dhe interpretimit të bërë të miksurës nga kolegët italian të Ministrisë së Punëve të brendshme në Itali, Sektori i Policisë Shkencore në Romë, duke aplikuar metonda të avancuara shkencore, mund të konstatojmë se i pandehuri Jovan Viçentijeviç ka qenë në kontaktë të drejtpërdrejtë me dëshminë nr.4 e përshkruar si më lartë, pra me një fitil ndezës ngjyrë e zezë rreth 9.20 metra gjatësi, i gjetur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë pas sulmit terrorist”.
Lidhjen e tyre me rastin e konfirmon edhe ekspertiza e Byrosë Federale të Hetimeve – FBI, që saktëson se nuk ka dallueshmëri në mes të dheut në çizmet e vëllezërve dhe atij te vendi i ngjarjes.
Përtej kësaj, Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për veprën penale “spiunazh” pasi Prokuroria ka vërtetuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë së Serbisë.
Sipas aktakuzës, ai mbante gradën toger në ushtrinë e Serbisë dhe e ka ndihmuar shërbimin duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara.
Jovan Viçentijeviq vëzhgonte edhe lëvizjet e ushtarëve amerikan të KFOR-it, ndërsa përmendet ai kishte siguruar edhe një raport 66-faqësh të klasifikuar si konfidencial, i përpiluar nga KFOR-i.
Ai, po ashtu kishte vëzhguar dhe mbledhur informacione dhe për Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
Ndërsa kishte krijuar një organizatë fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare”.
Në aktakuzë Prokuroria i propozon Gjykatës që t’i shpallë fajtorë dy vëllezërit dhe t’i obligojë ata të paguajnë edhe dëmin ndaj ndërmarrjes.
Ndërsa, Igor Dimoviq i cili ishte arrestuar në Varagë një ditë pas sulmit akuzohet vetëm për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.