“Diaspora dhe Kosova janë një”, Haradinaj vlerëson rolin e mërgatës ndër vite
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Ramush Haradinaj, i ka kushtuar disa rreshta diasporës, duke vlerësuar kontributin e saj në momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se në kohën e rezistencës paqësore diaspora ka qenë hambari i Kosovës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme ekonomike dhe morale.
Ai ka përmendur po ashtu se gjatë luftës, mërgata ka qenë e angazhuar drejtpërdrejt, duke u bërë pjesë e përpjekjeve për liri dhe logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gjatë luftës, diaspora ishte aktivisht e angazhuar, duke u bërë pjesë e përbërëse e luftës për liri dhe logjistikës së UÇK-së. Vëllezërit dhe motrat nga diaspora ishin zëri ynë në botë për të treguar vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kosovës. Pas luftës, diaspora ka qenë bashkë me ne, në çdo hap të rindërtimit dhe zhvillimit të vendit. Diaspora dhe Kosova janë NJË, të pandashme!”, ka shkruar Haradinaj ndër të tjera.
Postimi i plotë i Haradinajt, pa ndërhyrje:
Diaspora ka qëndruar gjithmonë krah për krah me Kosovën!
Në kohën e rezistencës paqësore, ata ishin hambari i Kosovës, mbështetja jonë ekonomike dhe morale.
Gjatë luftës, diaspora ishte aktivisht e angazhuar, duke u bërë pjesë e përbërëse e luftës për liri dhe logjistikës së UÇK-së.
Vëllezërit dhe motrat nga diaspora ishin zëri ynë në botë për të treguar vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kosovës.
Pas luftës, diaspora ka qenë bashkë me ne, në çdo hap të rindërtimit dhe zhvillimit të vendit.
Diaspora dhe Kosova janë NJË, të pandashme! /Zëri