Rrëfimi i kameramanit, si u prit Kurti në Merdare pas lirimit?
Më 27 prill të vitit ’99-të, u arrestua nga policia serbe në Prishtinë.
E për një vit e gjysmë, qëndroi në paraburgim në burgje të ndryshme në Kosovë e Serbi.
Vetëm me 9 mars të vitit 2000 në Nish të Serbisë, filloi gjykimi kundër ish-të burgosurit politik, Albin Kurti.
Mjaftuan 4 ditë gjykim, që Gjykata e Nishit ta dënonte Kurtin, me plot 15 vjet burgim.
Mbi të rëndonin akuzat për “shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të ish-Jugosllavisë”.
Por, presioni i madh ndërkombëtar, bëri që pas 633 ditëve, ish-prijësi i studentëve në demonstratat e vitit 1997, të lirohet nga burgu.
Por, lajmi për lirimin e Kurtit nga burgu, ende nuk kishte ardhur në Prishtinë.
“Ishte një ditë kur unë e përcillesha Kushnerin, sepse ai ka qenë hit, e nuk e di a ka qenë në Vushtrri apo në Gracanicë para komunës, por dikush e pyeti për Kurtin duke i thënë a do të lirohet sot Kurti? Dhe ai kinse nuk po e di, sepse përveç politikan ka qenë disi edhe aktor i mirë, bëri “wow, çfarë lajmi i mirë!”,u shpreh kameramani Sylejman Kllokoqi.
E mjaftoi ky reagim nga ish-përfaqësuesi special i OKB-së në Kosovë, që kameramani i Associated Press, të niset drejt kufirit në Merdarë.
Ajo që e kishte paralajmëruar Kushner edhe ndodhi.
Pas disa orë pritjesh, erdhi edhe vetura që e solli Kurtin në Kosovën e lirë.
“Unë për veti kam pritur 2-3 orë dhe erdhi mbrëmja kur erdhi vetura dhe doli Albini, ku e kam xhiruar teksa e çel derën, del prej derës dhe fillon me ardh. Ne e kemi xhiruar në pjesën e Kosovës, jo nga Serbia. Ka qenë një gëzim i madh”, tregon ai.
Por, Kllokoqi shton se nuk u mjaftua vetëm më pamjet e pritjes në kufi.
“Pas aty e kam përcjell Albinin deri në shtëpinë e vet në Lakrishtë dhe kam hyrë brenda në shtëpi më të. Ku më kujtohet që pos familjarëve, një prej vizitorëve të parë ka qenë edhe Agim Ceku, ka pasur mjaftë njerëz duke pritur me vizituar. Albini ka qenë mjaftë i lodhur, fizikisht e psiqikisht”, shprehet ai.
Pas lirimit nga burgu, Kurti i hyri jetës politike duke e themeluar fillimisht Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërsa ka dy mandate që mban pozitën e kryeministrit të Kosovës./teve1