LVV: Është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit te varri i Astrit Deharit
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar, të vendosura pranë varrit të aktivistit Astrit Dehari, janë dëmtuar.
Lajmi është bërë i ditur përmes një reagimi në Facebook, ku LVV ka theksuar se tashmë është në pritje të rezultateve të hetimeve nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës.
“Me keqardhje kemi marrë lajmin se është dëmtuar shtylla dhe pllaka e flamurit kombëtar pranë varrit të aktivistit tonë, Astrit Dehari. Falënderojmë të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë, ndërkaq si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë në drejtim të zbardhjes së shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi”, thuhet në reagim.
Vetëvendosje ka shtuar se pret nga organet kompetente që rasti të trajtohet me prioritet dhe të sqarohen rrethanat e dëmtimit.