Trupat e ushtrisë shqiptare, medalje të bronztë në “Cambrian Patrol” [video]
“Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut i Forcave të Armatosura të Shqipërisë është renditur në vendin e tretë në botë, në garën “Cambrian Patrol” në Uells, e konsideruar si më e vështira në botë”.
Nëntoger Serxhio Salliu sapo është kthyer me ekipin që drejtoi në garën ndërkombëtare të mbrojtjes, ku Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut u shpërblye me medalje të bronztë. Sfida finale në Uells zgjati 48 orë në terren të ashpër, ndërsa sipas efektivit të FA, më të vështirë e bënte fakti që secili prej tyre duhet të mbante një peshë të rëndë në trup.
“Pesha nga 45 deri në 50 kilogramë që e kishim për të patrulluar në distancë të gjatë, në kushte të vështira atmosferike. Momenti më i vështirë, kalimi i pengesës ujore dhe rënia në kontakt, skenar të improvizuar nga ushtria britanike”, Nëntoger Serxhio Salliu, Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut, FA.
Përpara garës me 122 trupa ndërkombëtare, trupa shqiptare është stërvitur në disa zona të vendit për skenarë të ndryshëm ushtarakë: navigimi në terren, ndërhyrje e shpejtë, dhënia e ndihmës së parë e deri te situatat e improvizuara luftarake.
“Ne jemi stërvitur në disa vende të ndryshme në zonën e Beratit, Bizë dhe Kosovë dhe përfundimtarja në Angli me palën angleze. Jemi stërvitur për skenarë të ndryshëm që pritej t’i kishim gjatë garës“.