Abdixhiku takon ambasadorin e Francës, diskutojnë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Abdixhiku takon ambasadorin e Francës, diskutojnë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aktuale December 05, 2025 - 12:50

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi këtyre proceseve, me theks të veçantë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Guérot për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale, duke theksuar mobilizimin e plotë të strukturave në nivel vendi. Ai tha po ashtu se LDK është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet nacionale, duke finalizuar listën për deputetë me figura të dëshmuara profesionale, të reja e integruese, të cilat vijnë me vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e vendit. Ai potencoi se LDK-ja po paraqet para qytetarëve një ekip të përgjegjshëm dhe të përkushtuar, që reflekton seriozitet, punë dhe përvojë; pra një listë që synon t’i japë vendit institucione stabile dhe një qeverisje zhvillimore, në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Franca ia ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese dhe zhvillimore.

Ai nënvizoi se mbështetja franceze mbetet thelbësore për avancimin e aspiratave të Kosovës drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit të plotë evropian.