PDK-ja ankohet te PZAP-i për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit NR. 01/3438-2025 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), datë 26.11.2025.
Në ankesë PDK-ja pretendon se vendimi i KQZ-së cenon Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke zgjeruar në mënyrë të paautorizuar konceptin e qendrave të votimit jashtë vendit, përfshirë hapësira private dhe klube pa status diplomatik.
Kjo parti thekson gjithashtu se kjo qasje bie ndesh me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Konventat e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe Konsullore.
PDK-ja paralajmëron se zgjedhja e hapësirave të paautorizuara rrezikon sigurinë juridike dhe integritetin e procesit zgjedhor, duke pamundësuar mbikëqyrjen objektive nga KQZ-ja.
Partia Demokratike kërkon që PZAP-i të anulojë vendimin e KQZ-së dhe të garantojë që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në hapësira zyrtare dhe të autorizuara diplomatike.
