Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Serbia, nuk ka kush ju del zot
Foto: Laura Hasani

Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Serbia, nuk ka kush ju del zot

Aktuale December 05, 2025 - 10:37

Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare të Merdarit gjatë ditës së enjte, pasi në veturën e tij është gjetur një flamur me shenjat e UÇK-së.

Lidhur me këtë, nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, sidomos ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mos kalojnë nga Serbia, por të zgjedhin rrugë alternative, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, Serbia është po e njëjta dhe lufta speciale ndaj popullit të Kosovës nuk është ndalur.

“Serbia, edhe pas luftës që e kemi pasur, asnjëherë nuk e ka ndalur luftën speciale ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë, prandaj kjo Serbi është e njëjta. Në atë kohë Serbinë e ka udhëhequr Millosheviqi, tani një ish-ministër i tij, pra zotëri Vuçiqi. Nuk presim të ketë ndryshime, ose me na respektu më shumë, sepse e kemi parasysh sa po i respekton qytetarët e vet atje”, tha Syla.

“Ne bëjmë thirrje, edhe pse kemi bërë shpesh thirrje, por vazhdojmë të bëjmë thirrje, mos provoni të kaloni andej, sidomos ushtarëve të UÇK-së, sepse nuk ka kush të iu dalë zot, nuk ka kush të iu bie pas, prandaj zgjidhni alternativa tjera, e jo nga Serbia, sepse ajo është e njëjta”, u shpreh ai.