Çfarë dënimi mori Ljubisa Miljkoviq për sulmin ndaj KFOR-it? [video]
Është dënuar me dy vite burgim dhe 14 mijë euro gjobë, Ljubisa Miljkovic, i akuzuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Ky vendim i Gjykatës, vjen pasi mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Speciale u arrit marrëveshja për pranim fajësie.
Është njëri prej episodeve më të rënda të trazirave në veri, gati tre vite më parë.
Pjesë e kësaj turme të dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan ishte edhe Ljubisa Miljkoviq.
Si rrjedhojë, ai u akuzua për dy vepra penale nga Prokuroria Speciale.
Ai ngarkohet edhe për dëmet e shkaktuara tek automjetet e KFOR-it e Policisë së Kosovës, si dhe ndaj mediave.
Miljkoviq nuk e mohoi fajin e tij.
“Unë e pranoj fajin. Këtë po e them me vullnet të lire”, tha ai.
Kjo pasi edhe paraprakisht, mes tij dhe Prokurorisë Speciale u arrit marrëveshja për pranim të fajësisë, duke arritur dakordim edhe për lartësinë e dënimit.
Kështu në seancën fillestare, u shqyrtua edhe kjo marrëveshje.
Mirëpo, një kërkesë e pati mbrojtja.
“Propozoj që dënimin me gjobë, i pandehuri ta paguajë në një afat prej dy vitesh, pasi familja e tij gjendet në një pozitë jo të mirë dhe shuma është bukur e madhe”, tha avokati Millosh Deleviq.
Gjykata e aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie të arritur mes palëve.
Verdiktin e saj për Ljubisa Miljkovic e dha në po të njëjtën ditë.
Në dënim, Miljkovic do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. /tëvë1