Skenderaj, Fushë-Kosova dhe Obiliqi mbajnë sot seancën inauguruese
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, ku rundi i parë i Zgjedhjeve Lokale u zhvillua më 12 tetor dhe balotazhi më 9 nëntor, sot pritet të mbahen seancat inauguruese të kuvendeve komunale në disa komuna të vendit.
Në Skenderaj gjatë ditës do të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal, ku anëtarët e rinj të zgjedhur do të marrin mandatin dhe do të nisë zyrtarisht konstituimi i legjislaturës së re lokale.
Mbledhje inauguruese do të zhvillohet edhe në Fushë-Kosovë, në sallën e Kuvendit Komunal, ku kuvendarët pritet të betohen dhe të formalisht të nisin punën në përbërjen e re të kuvendit.
Po sot Obiliqi do të mbajë seancën e tij inauguruese në shtëpinë e kulturës “Xhavit Haziri”, ku anëtarët e kuvendit komunal do të konstituohen sipas procedurave ligjore.
Me mbajtjen e këtyre seancave, komunat hyjnë në fazën përfundimtare të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve lokale të këtij viti.