Qeveria e Shqipërisë ngre Ekipin e Emergjencave Kibernetike

Qeveria e Shqipërisë ngre Ekipin e Emergjencave Kibernetike

Aktuale December 03, 2025 - 19:24

Përballë kërcënimeve në rritje nga sulmet digjitale, Qeveria Shqiptare ka zyrtarizuar ngritjen e një strukture speciale të reagimit të shpejtë. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, është miratuar krijimi i Ekipit të Përgjigjes ndaj Emergjencave dhe Krizës së Sigurisë Kibernetike (CERT), një njësi “Ad Hoc” që do të aktivizohet sa herë vendi të përballet me rreziqe madhore kibernetike.

Struktura e re do të funksionojë pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe do të bëjë bashkë në një tryezë agjencitë ligjzbatuese dhe “trurin” më të mirë të teknologjisë në tregun privat.

Nga SHISH te inxhinierët privatë CERT-i do të drejtohet nga kreu i AKSK-së dhe në rast krizash do të thërrasë menjëherë përfaqësues nga institucionet kyçe të sigurisë kombëtare: Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, SHISH, Policia e Shtetit, AKSHI dhe AKEP.

Risia e këtij vendimi është hapja e dyerve për ekspertët e pavarur. Qeveria ka vendosur të rekrutojë inxhinierë IT, ekspertë të Sigurisë Kibernetike dhe specialistë OT (teknologji operative), të cilët do të paguhen dhe trajnohen për të mbrojtur sistemet kritike të shtetit.

Kriteret e forta, kërkohen 7 vjet eksperiencë dhe njohuri në AI

Për të qenë pjesë e kësaj njësie elitare, filtri do të jetë mjaft i imët. Vendimi përcakton se ekspertët duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë pune dhe të zotërojnë certifikata të njohura ndërkombëtare (si CISSP, CEH, etj.). Atyre u kërkohen njohuri të thelluara në fusha specifike si: Inteligjenca Artificiale (AI) dhe Machine Learning; Teknologjia Blockchain dhe Kriptografia; Hetimi kibernetik (Forensic) dhe menaxhim krizash; Gjuhët e programimit si Python dhe sistemet Linux/Windows Server.

Duke qenë se këta individë do të kenë akses në informacione tepër sekrete gjatë menaxhimit të krizave, ata do t’i nënshtrohen procedurave strikte të verifikimit të pastërtisë së figurës dhe duhet të pajisen me “Certifikatë të sigurisë së personelit” për informacionin e klasifikuar.

Sipas vendimit, AKSK-ja do të publikojë thirrjen e parë për ekspertë brenda një jave nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa në vijim thirrjet do të jenë periodike çdo muaj janar./atsh