“Hibrid” paralajmëron për videot e manipuluara me AI në prag të zgjedhjeve

“Hibrid” paralajmëron për videot e manipuluara me AI në prag të zgjedhjeve

Aktuale December 03, 2025 - 14:34

Platforma për verifikim të fakteve, Hibrid.info, të mërkurën mbajti një konferencë për media, ku u diskutua shfaqja dhe shpërndarja e përmbajtjeve të rreme të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI) gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Hulumtuesi Festim Rizanaj tha se në këtë periudhë janë vënë re video dhe imazhe të gjeneruara me AI që përmbajnë narrativa politike të manipuluara. Ai theksoi se një prej trendeve përfshin videot e mërgimtarëve të paraqitur në lokacione publike, si ambiente aeroportesh, ku ata “intervistohen” për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke shtuar se të njëjtat përmbajtje krijojnë përshtypjen e angazhimit masiv të diasporës në mbështetje të një subjekti të caktuar politik, duke ndikuar perceptimet politike të qytetarëve.

Sipas tij, ky fenomen nuk është rast i izoluar dhe tregon përdorimin e teknologjisë së avancuar për të influencuar perceptimet dhe vendimet politike të qytetarëve dhe diasporës. Hulumtuesja Hyrije Mehmeti theksoi se publikimi i këtyre videove dhe imazheve në platforma si Facebook dhe TikTok, ku algoritmet favorizojnë shpërndarjen e shpejtë dhe masive, rrit ndjeshëm ndikimin e tyre tek audienca, duke përfshirë përdoruesit më të rinj dhe komunitetin e diasporës.

Ajo shtoi se fenomeni nënvizon nevojën për rritje të vetëdijes publike, përdorim më të gjerë të mjeteve të verifikimit të përmbajtjes dhe përgjegjësi më të lartë nga platformat sociale për përmbajtjen që amplifikojnë. Po ashtu theksoi rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të AI në gazetari dhe kontroll të fakteve (fact-checking), duke kujtuar se çdo përmbajtje e gjeneruar me AI duhet të rishikohet dhe aprovohet nga stafi editorial.

Hibrid.info rekomandon që mediat:

Të rishikojnë çdo material të gjeneruar ose ndikuar nga AI;

Të etiketojnë qartë përdorimin e AI në përmbajtjet e tyre;

Të zbatojnë standarde të larta transparence dhe verifikimi;

Të përdorin mjete profesionale për identifikimin e manipulimeve vizuale dhe tekstuale.

“Hibrid.info, pjesë e rrjeteve ndërkombëtare për verifikimin e fakteve, fton gazetarët dhe mediat që të bashkëpunojnë ngushtë në këtë çështje të rëndësishme për integritetin e informimit në përgjithësi, e në veçanti gjatë proceseve zgjedhore”, thuhet në komunikatë. /Zëri