Sindikata e RTK-së me kërkesa për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës
Sindikata e Punëtorëve Privatë të RTK-së i ka kërkuar legjislaturës në ardhje të Kuvendit të Kosovës që para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit, të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit, të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vitesh.
“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i drejtohet legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurojë më në fund financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik. Modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit. RTK prej 26 vitesh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik. SPERTK kërkon që: Para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit. Të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit. Të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vitesh. SPERTK do t’i paraqesë legjislaturës së re dhe organeve të ardhshme drejtuese kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive. Ne do të presim deri në formimin e plotë të Kuvendit, Bordit dhe menaxhmentit. Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK-ja do të nisë masat sindikale pa vonesë”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Ata kanë sjellë në rikujtim që RTK-ja aktualisht është pa bord, pa drejtor të përgjithshëm, pa kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre.
“Rikujtojmë se RTK-ja aktualisht funksionon pa bord, pa drejtor të përgjithshëm, pa kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre. Për këtë arsye, është e domosdoshme që legjislatura e re dhe Bordi i ardhshëm të shqyrtojnë me kujdes çdo kontratë dhe çdo shpenzim të buxhetit të RTK-së. RTK-ja është pasuri publike. Stabiliteti i saj është interes i qytetarëve dhe detyrim i institucioneve. SPERTK-ja do të vazhdojë të mbrojë punëtorët dhe të kërkojë kushte të drejta e të qëndrueshme për ta”, thuhet më tej në komunikatë.