LVV-ja nis “gjahun” për votat e diasporës
Foto: Laura Hasani

LVV-ja nis “gjahun” për votat e diasporës

Aktuale December 03, 2025 - 08:30

Ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, LVV-ja, u parapriu tubimeve zgjedhore, madje mijëra kilometra larg nga Kosova.

Kjo parti zhvilloi fushatën e parë publike për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Norvegji.

Por, më shumë se fushata, reagime nxiti prania e ambasadores së Kosovës në Norvegji, Nita Luci, pasi ligji për shërbimin e jashtëm e ndalon një gjë të tillë.

“Është shkelje e ligjit është shkelje protokollare nuk guxon të përzihet në tubime partiake….”, tha Lama për rtv21.

Neni 32 i Ligjit për shërbimin e jashtëm detyron diplomatët të pezullojnë çdo aktivitetet të tyre partiak. Megjithatë, ky nen nuk e ka ndaluar ambasadoren Luci që të bëjë fushatë për LVV-në me diasporën në Norvegji.

Ky veprim i ambasadores nxiti edhe reagimin e një numri të shoqërisë civile.

Ata përmes një kumtese të përbashkët kërkuan nga ministria e punëve të jashtme që të reagojë, të sqarojë dhe të zbatojë ligjin pa përjashtime.

“Kjo prezencë, sidomos në prag të zgjedhjeve, rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit diplomatik. Për më tepër, ky rast ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës”.

E gjithë këtë situatë, ish-diplomatja Lama po e sheh si një gjah për votën e diasporës.

“LVV-ja ka nisur luftën për votën e diasporës, sepse nuk ka çfarë të ofrojë për qytetarët këtu sepse nuk ka punuar…”, u shpreh Lama.

Veç kësaj, votimet në diasporë nxitën një përplasje të ashpër mes LVV-së dhe LDK-së, e cila doli kundër hapjes së qendrave alternative të votimeve në diasporë, pasi KQZ-ja aprovoi hapjen e tyre, ku ndër të tjera u propozuan të hapen qendra të votimit edhe në objekte fetare por edhe restorante.

Megjithatë, këtë përplasje, politologu Albinot Maloku, e cilëson artificiale.

“Imponim artificial i ngjarjeve për t’i përdorur gjatë fushatës. Se sigurisht ka shumë problematika të tjera që janë më prioritare për t’i përdorur…”, tha Maloku.

Ndërkohë, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, bën të ditur se nga 26 nëntori deri më 1 dhjetor, përmes platformës elektronike për regjistrimin e votuesve të diasporës janë pranuar mbi 41mijë aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.

Prej tyre janë aprovuar mbi 27mijë, ndërsa janë refuzuar mbi 4mijë sosh, të tjerat ndërkaq, janë në vlerësim e sipër.

Sipas Elezit, pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar të votojnë përmes postës, votim ky që në vazhdimësi është kritikuar nga njohës të procesit zgjedhor, meqë, i njëjti nuk ruan konfidencialitetin e votës dhe votimi bëhet në mënyrë grupore.