Spahiu: Opozita po bie në grackat e Kurtit për votën e mërgatës
Foto: Laura Hasani

Spahiu: Opozita po bie në grackat e Kurtit për votën e mërgatës

Aktuale December 03, 2025 - 08:26

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka vlerësuar se debati mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e votimit të mërgatës po përdoret si instrument për përfitime politike.

Ai ka theksuar se opozita, megjithëse nuk ka shprehur kundërshtim të drejtpërdrejtë, ka manifestuar pakënaqësi në forma të ndryshme, gjë që sipas tij po e dëmton vetë atë.

“Opozita nuk e kanë kundërshtuar në mënyrë direkte, por në forma të ndryshme e kanë shprehur pakënaqësi dhe këtë e kanë gabim, sepse sa më shumë që shprehin pakënaqësi aq më shumë ia bëjnë gropën vetes. Nuk e mohoj që është lojë që po bëhet me mërgatën për poenë politikë, por detyrë e opozitës është të mos bie në grackat e Albin Kurtit”, ka thënë Spahiu në Tëvë1.

Ai ka shtuar se opozita është dashur të fokusohet në përmirësimin e mënyrës së votimit për diasporën, në vend se të kundërshtojë procesin.

“Nëse është thënë që për t’ia lehtësuar mërgatës votimin duhet bërë kjo, atëherë opozita është dashur të kujdeset që ajo lloj mënyre e votimit të rregullohet, por përderisa e kundërshton del keq”.

Sipas Spahiut, opozita po vepron në mënyrë të gabuar kur, për shkak të bindjes se vota e diasporës dominohet nga Lëvizja Vetëvendosje, po synon të kufizojë rolin e saj në procesin zgjedhor.

“Për shkak të paragjykimit që vota e diasporës në shumicë shkon te Vetëvendosja, opozita në vend që të luftojë t’ia marrë LVV-së votën e diasporës, po lufton që diaspora të mos ketë të drejtë vote. Këtë po e thonë në mënyrë të tërthortë dhe jo në mënyrë direkte”, ka përfunduar Spahiu.