Kosova dhe SHBA-ja dakordohen për thellim të bashkëpunimit në mbrojtje
Në margjinat e takimit ministerial A5, SHBA – Karta e Adriatikut, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim bilateral me drejtorin kryesor për NATO dhe Evropë në Departamentin e Luftës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alton Buland.
Gjatë takimit, të dy palët diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
U vlerësua lart partneriteti strategjik ekzistues, ndërsa u shpreh gatishmëria për zgjerimin e projekteve të përbashkëta, përfshirë zhvillimin e industrisë së mbrojtjes përmes bashkëpunimeve dhe bashkinvestimeve.
Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimeve ishte rritja e potencialit të Kosovës për kontribut në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, gjë që synon forcimin e rolit të vendit në sigurinë globale.
SHBA-ja u riafirmua si partneri kryesor strategjik në forcimin dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.