Në Komitetin për Punë të Jashtme, SHBA-së i kërkohet të ndërrojë qasjen “e pabalansuar” ndaj Kosovës

Në Komitetin për Punë të Jashtme, SHBA-së i kërkohet të ndërrojë qasjen “e pabalansuar” ndaj Kosovës

Aktuale December 02, 2025 - 23:57

Vendet e Ballkanit Perëndimor ishin tema kryesore që u fol në një dëgjesë të posaçme në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA.

Aty kryetari i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, foli për rritjen e paqëndrueshmërisë në këtë rajon por edhe për nevojën për një strategji më efektive amerikane për të shmangur përshkallëzime të reja.

Duke folur për situatën në Kosovë, Self foli edhe për zgjedhjet e 28 dhjetorit që do të mbahen në Kosovë, duke shfaqur shpresën se Serbia do ta njohë pavarësinë e 17 shkurtit të vitit 2008 pas këtyre zgjedhjeve.

“Marrëdhënia e pazgjidhur e Serbisë me Kosovën është një prej çështjeve kyçe që po çon në paqëndrueshmëri në rajon që ka krijuar një të çarë strategjike që mundëson aftësinë e Rusisë për të cenuar aftësinë e BE-së dhe NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit”.

“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 mes Kosovës dhe Serbisë që kishte për qëllim deeskalimin e tensioneve aktuale dhe ringjalljen e marrëveshjeve të kaluara, ka stagnuar”.

“Kriza zgjedhore në Kosovë ka përkeqësuar situatën si rezultat i dështimit të Republikës për krijim të qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, duke shkaktuar zgjedhje të shpejta në dhjetor 2025. Pas zgjedhjeve, nëse Kosova formon qeveri, është shpresë e sinqertë e imja që Serbia më në fund të njohë sovranitetin e Kosovës”, deklaroi Self.

Duke folur për të drejtat e pakicave, ai tha se Kosova ka legjislacion që mbron këto të drejta të cilat tha i tejkalojnë edhe ato të vendeve të BE-së.

Self tha se Kosova i frikësohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi, sipas tij, Serbia mund ta keqpërdorë atë. Prandaj, thotë ai, ende nuk e ka themeluar të njëjtën.

Tutje, kryetari i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self përmendi edhe çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Ai, po ashtu tha se përveç agresionit rus ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë.

Sipas tij, konfliktet e ngrira po i japin hapësirë Rusisë, Kinës dhe Iranit të cilët po shfrytëzojnë krejt këtë situatë për të minuar ndikimin e ShBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s në këtë pjesë të Evropës.

Keith Self në këtë seancë ngriti edhe alarmin për rrezikun e një konflikti të ri në Ballkan, ku tha se në vijën e parë do të ishin Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. E nëse një situatë e tillë ndodh, sipas tij, do të aktivizohej Traktati i NATO-s duke e shndërruar këtë në çështje të sigurisë kolektive euro-atlantike.

Ndërkohë, politikani tjetër amerikan William Richard Keating e tha qartë se presidenti serb Alleksandar Vuçiq më shumë se me Amerikën po forcon marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se duket të ketë progres të mëtejmë në këtë proces i cili tha se do t’i çojë vendet më afër BE-së.

“U bëj thirrje liderëve të të dyja vendeve që të ndalojnë retorikën nxitëse”, deklaroi ai.

Profesori i universitetit “Johns Hopkins”, njohës i Ballkanit Perëndimor, Edward Joseph kritikoi qasjen amerikane ndaj Kosovës.

Sipas tij, SHBA mund të prish marrëdhënien destruktive të Serbisë me Rusinë dhe Kinën duke e trajtuar çështjen me Kosovën.

“Përgjigja përfundimtare nuk është dialogu i udhëhequr nga BE-ja, por rruga për anëtarësim në NATO për Prishtinën dhe Beogradin. Presidenti Trump është në pozitë shumë të mirë për të bërë këtë ofertë transformuese. Në ndërkohë, SHBA-ja duhet të heq dorë nga qëndrimi i pabalansuar ndaj Beogradit dhe Prishtina, ku vetëm kjo e fundit mbahet përgjegjëse për provokime”, deklaroi profesori Joseph.

Ai përmendi edhe sulmin në Banjskë, sikurse rrëmbimin e qytetarit serb të Kosovës nga Serbia. /klankosova