Ambasadori britanik i ashpër pas mos-certifikimit të Listës Serbe: Jam seriozisht i shqetësuar
Foto: Laura Hasani

Ambasadori britanik i ashpër pas mos-certifikimit të Listës Serbe: Jam seriozisht i shqetësuar

Aktuale December 02, 2025 - 21:01

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësim serioz pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Hargreaves ka paralajmëruar se ndërhyrjet politike që pengojnë pjesëmarrjen e këtij subjekti mund të dëmtojnë imazhin demokratik të Kosovës dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Ndihem seriozisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të gërryejnë reputacionin me mund të fituar të Kosovës si demokraci shumetnike dhe dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të afërt”, ka deklaruar Hargreaves në një postim në Facebook.

Diplomati britanik ka bërë thirrje që procesi të kthehet në binarë ligjorë dhe institucionalë, duke theksuar rolin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si instancë që duhet të garantojë respektimin e ligjit.

“Shpresoj që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe një herë ta vlerësojë aplikimin e Listës Serbe për certifikim në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës”, ka shtuar ai.

Komisioni Qendror Zgjedhor, me dy vota për, dy kundër, dhe pesë abstenime nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Pesë abstenimet nga anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë abstenuar duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme se një subjekt i regjistruar është automatikisht i certifikuar.

VV votoi kundër.