Qe tri javë pa ujë në Fushë-Kosovë, KRU “Prishtina”: S’e kemi obligim të sigurojmë ujë në katet e larta
Qytetarët e Fushë-Kosovës janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm tash e tri javë.
Ankesa të shumta i janë drejtuar KRU “Prishtina” në lidhje me këtë problem qoftë duke drejtuar ankesa me shkrim në kompani, por edhe publikisht në rrjetet sociale.
“A jeni normal more çfarë vendi shteti jem ka jetojmë senin bazik në jet ma të thjesht s’ka ku shkon ma, pa ujë sun bon sen njeri mos me pat që gati 1 muj kjo so normale keni kalu gjitha limitet s’ka shtet jo, tmerr vallahi kun n’bot ska kështu”, ka shkruar një qytetar në faqen zyrtare të KRU “Prishtina” në Facebook, bashkë me shumë të tjerë të cilët ankohen për mungesë të ujit.
Në një përgjigje për “Zërin”, KRU “Prishtina” ka pranuar se ka probleme dhe se furnizimi me ujë është duke vazhduar tash e tri javë, e të cilat sipas tyre lidhen me turbullirën e vazhdueshme të ujit në kanalin Ibër-Lepenc.
Pavarësisht ankesave, KRU “Prishtina” thotë se asnjë konsumator nuk ka mbetur pa furnizim me ujë.
“Problemet aktuale me furnizimin me ujë në NjOU – Fushë-Kosovë lidhen me turbullirën e vazhdueshme të ujit në kanalin Iber-Lepenc. Tri javë asnjë konsumator nuk ka mbetur pa furnizim me ujë”, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku në një përgjigje për “Zërin”.
Mjeku tha se kompania nuk e ka për obligim të sigurojë shtypje në katet e larta të ndërtesave.
“Megjithatë, vështirësi më të mëdha hasen në katet e larta, mbi katin e 7, veçanërisht te konsumatorët që jetojnë në ndërtesa pa rezervuar. Duhet theksuar se Ujësjellësi nuk ka obligim për të siguruar shtypje apo furnizim të rregullt në këto kate të larta”, tha Mjeku. /Zëri