Shtatë të arrestuar për spiunazh në Kosovë brenda një viti, ekspertët: Rrezik serioz për sigurinë kombëtare
Rastet e dyshuara për spiunazh në Kosovë në vitin e fundit kanë qenë shqetësuese për sigurinë nacionale të Republikës. Nga qershori i 2024-s e deri më tani, shtatë persona janë arrestuar nën dyshimin për spiunazh te shërbimet inteligjence serbe.
Më shumë se gjysma e tyre janë shqiptarë të Kosovës. Disa prej tyre ngarkohen me akuza se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente te BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, e institucione të tjera të sigurisë.
Veprimet e tilla të bashkëpunimit dhe spiunazhit me BIA-n serbe po cilësohen tejet të rrezikshme për sigurinë kombëtare të vendit.Si njohës i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, thotë se dëmet që mund të shkaktohen nga këta individë janë të mëdha.
“Në aspekti e sigurisë kanë ndikuar qetësimin e qytetarëve dhe gjithë banorëve dhe qetësimin e sigurisë nacionale duke pas parasysh se çfarë dëme mund të shkaktojnë këta persona me vetëdije ose pavetëdije, duke pasur parasysh që spiunazhi është formë e kriminaliteti tepër penale tepër e rëndë komplekse dhe tepër e mundimshme për të zbuluar andaj nevojiten edhe fakte të mëdha”, tha ai për RTK.
Edhe njohësi tjetër i sigurisë, Avni Islami, thekson se numri i atyre që bashkëpunojnë me Serbinë është i madh, prandaj beson në arrestime të tjera.“Janë arrestuar persona të dyshuar dhe disa janë dënuar, këta konsiderohen që janë të rrezikshëm dhe kur kihet parasysh që një numër jo i vogël, rreth 7-8 veta janë arrestuar dhe do të gjykohen e disa janë gjykuar, unë konsideroj se numri qoftë i informatorëve, qoftë i bashkëpunëtorëve apo edhe i agjentëve serbë, është shumëfish më i madh”, tha ai.
Muharrem Qerimi, Bedri Shabani, Aleksandër Vllajiq, Bojan Jevtiq, Hysri Selimi, Jelena Gjukanoviq dhe Fatmir Sheholli, janë të arrestuar e dënuar mbi dyshimin e veprës penale për spiunazh.