S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë marrë vendim që dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos lejohet që mbrojtja e Hashim Thaçit ta shtojë në listën e dëshmitarëve të saj, por u lejua pranimi i pesë deklaratave të tij të mëhershme me qëllim të krahasimit të dëshmive për shkaqe të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së tij.
Ndryshe, mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar autorizim për ta shtuar Zyrapin në listën e saj të dëshmitarëve dhe të pranojë pesë deklarata të tij të mëhershme sipas Rregullës 153, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Mbrojtja kishte argumentuar se ekziston arsye e rëndësishme për aprovimin e kërkesës së tyre, me arsyetimin se Zyrapi është një dëshmitar shumë i rëndësishëm për të gjitha palët në këtë çështje.
Përveç kësaj, mbrojtja kishte thënë se me aprovimin e kërkesës së tyre, nuk shkaktohet asnjë paragjykimi për palët- pasi dëshmitari dhe dëshmitë e tij janë të njohura mirë për palët dhe pjesëmarrësit, përveç kësaj, deklaratat e tilla i janë paraqitur dëshmitarit gjatë dëshmisë së tij në korrik 2024 dhe nuk do të shkaktonte asnjë vonesë në procedurë.
Mbrojtja ka thënë se këto deklarata duhet të pranohen, pasi ato përmbajnë prova lehtësuese të cilat nuk mund të injorohen.
Veç kësaj, mbrojtja ka thënë se Zyrapi është i disponueshëm edhe për marrje në pyetje, gjë që përmbush një prej kërkesave kyçe sipas Rregullës 153.
Prokuroria kishte thënë se deklaratat nuk janë të besueshme në vetvete dhe nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme sipas Rregullës 153, si dhe kjo rregull nuk mund të përdoret për të anashkaluar Rregullën 155.
Veç kësaj, Prokuroria pretendon se mbrojtja e kishte mundësinë që ta merrte në pyetje dëshmitarin në lidhje me çështjet përkatëse gjatë kohës kur ai dëshmoi në sallën e gjyqit në vitin 2024.
Në replikën e saj, mbrojta ka thënë se ZPS-ja po kërkon që të imponojë një lexim tepër formal të rregullave, duke shtuar se vetë praktika e deritanishme e DHSK-së tregon se Rregulla 153 është aplikuar në raste kur materiali nuk kualifikohet si deklaratë në kuptimin teknik të Rregullës 155.
“Sipas mbrojtjes: (i) Pesë Deklaratat nuk bien nën Rregullën 155 sepse nuk janë deklarata të marra nga ZPS, por materiale dokumentare të krijuara në rrethana të tjera; (ii) prandaj, Rregulla 153 është rruga e duhur; dhe (iii) ZPS-ja nuk i ka sfiduar dot elementet kyçe të pranueshmërisë. Mbrojtja shton se ZPS është vetë autor i një pjese të koklavitjes procedurale që e ka sjellë këtë çështje deri në këtë pikë”, thotë mbrojtja sipas vendimit.
Megjithatë, Prokuroria s’e ka kundërshtuar pranimin e pesë deklaratave sipas Rregullës 138, por vetëm për qëllime të krahasimit dhe jo për të vërtetuar të vërtetën e përmbajtjes së tyre.
Mbrojtja ka theksuar se ndryshe nga ajo se çfarë sugjeron Prokuroria, çdo paraqitje sipas Rregullës 153 kërkon që dëshmitari të jetë në listën e dëshmitarëve të palës që e paraqet.
Kurse, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja nuk ka shpjeguar se pse ka pritur deri në fund të paraqitjes së saj të provave për të kërkuar pranimin e këtij materiali me ndryshimet përkatëse në listën e dëshmitarëve të saj.
Trupi gjykues tutje ka thënë se pranimi i këtyre deklaratave u nënshtrohet kritereve specifike të parashikuara me Rregullat 153 dhe 155.
Veç kësaj, u tha se pesë deklaratat përmbajnë informacion që shkojnë drejtpërdrejt në provimin e akteve dhe sjelljen e të akuzuarve siç përshkruhet në aktakuzë, por pranimi i saj sipas Rregullës 153 do të anashkalonte skemën procedurale dhe do t’u mohonte palëve të tjera mundësinë për të pyetur dëshmitarin për këto çështje.
Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk është e nevojshme që të shtohet Zyrapi në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, por kjo e fundit së bashku me Prokurorinë ka thënë që pesë deklaratat mund të pranohen sipas Rregullës 138, me qëllim të kufizuar për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së Zyrapit.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark, i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.
DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi